Komisioni i Edukimit miraton ndryshimet në ligjin “Për librin”

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet ka përmbyllur sot shqyrtimin e ndryshimeve ligjore që prekin fushën e botimeve në vend, duke miratuar projektligjin e ri për librin.
Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e kryetarit të Komisionit, Luçiano Boçi. Fokusi kryesor ishte shqyrtimi dhe votimi i Projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin bazë nr. 9616, datë 27.09.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi ndryshimet e propozuara ishin diskutuar në parim në mbledhjet e mëparshme, anëtarët e komisionit kaluan sot në fazën finale të procedurës legjislative. Pas diskutimeve të nevojshme, Komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin, duke i hapur rrugë kalimit të tij për votim në seancë plenare.
Gjithashtu, gjatë mbledhjes së sotme, anëtarët diskutuan dhe ranë dakord edhe për kalendarin e punës së Komisionit për periudhën në vijim.
/rtsh.al/