Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin për TVSH-në në bujqësi, rrëzon të gjitha amendimet e Braçes dhe Bozdos

Komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin për TVSH-në në bujqësi, por nuk pranoi asnjë nga amendimet e Erion Braçes dhe Eno Bozdos
Komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin për TVSH-në në bujqësi, por nuk pranoi asnjë nga amendimet e Erion Braçes dhe Eno Bozdos
Të dy deputetët propozuan që nga kompensimi i TVSH-së të përfitojnë të gjithë fermerët në vend që kanë një NIPT si në QKB ashtu edhe në Tatime.
Po ashtu u kërkua që kompensimi për fermerët të bëhet çdo muaj dhe jo çdo 6-muaj siç është parashikuar.
“Të fusë në skemën e kompensimit (10%) edhe dy grupe të mëdha fermerësh si: prodhuesit bujqësorë të cilët janë subjekte të TVSH-së dhe lëshojnë faturë shitjeje për produktet e shitura, si dhe prodhuesit bujqësorë që autofaturohen nga subjektet e biznesit të vogël por që nuk janë subjekt i TVSH-së”, thuhej në amendimin e Bozdos që mbështetej edhe nga Braçe.
“TVSH-ne e përllogaritur mbi vlerën përfundimtare te transaksionit për blerjen e produkteve bujqësore, blegtorale, (bimore, shtazore), peshkore, pyjore nga personi i tatueshëm tek fermerët me autofaturim. Për efekt te kësaj pike “vlera përfundimtare e transaksionit” është vlera për produktet bujqësore. blegtorale, (bimore, shtazore), peshkore, pyjore, ne transaksionin e blerjes se produkteve nga fermerët. dokumentuar me një fature ligjore te dakordesuar mes palëve, ku përfshihet dhe vlera e TVSH-se. TVSH llogaritet duke pjesëtuar “vlerën përfundimtare te transaksionit” me koeficientin 116. Autofaturimi do te aplikohet për prodhuesit bujqësor te përjashtuar nga skema e TVSH-se deri ne kufirin e përcaktuar nga ligji”, thuhet në amendimin e Braçes.
Por asnjë nga amendimet nuk u pranua dhe kaloj projektligji pa asnjë ndryshim. Të vetmit fermerë që do të përfitojnë nga kompensimi i TVSH-së në bujqësi do të jenë vetëm ata që kanë NIPT të regjistruar në Tatime dhe jo në QKB.
Edhe pse ministri pati deklaruar se përfitojnë 111 mijë fermerë, në fakt përfitojnë më pak se 11 mijë fermerë që kanë të regjistruar NIPT në tatime.
“Fermeri me NIPT në QKB, konsiderohet i vetëpunësuar dhe në bazë të ligjit të vitit 2023 për të ardhurat, është një vetëpunësuar dhe ky nuk paguan asnjë tatim mbi të ardhurat personale deri në 2029. Aktiviteti i tij është në sektorin bujqësor apo blegtoral, nuk ka si të kompensohet 10% për arsyen sepse ky është një lloj si çdo vetëpunsuar tjetër”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Arjana Dyrmyshi.