E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton në parim reformën territoriale, opozita kundër

Komisioni i Ligjeve miratoi sot në parim, me 8 vota pro dhe 5 kundër, nismën e mazhorancës për ndryshimin e ndarjes administrativo-territoriale të vendit.

Projektligji pritet të kalojë edhe në votimin nen për nen dhe më pas në tërësi, për t’iu përcjellë seancës plenare për votim më 8 tetor.

Deputetët e opozitës vijuan kundërshtimin e hartës së re territoriale, duke kërkuar ndërprerjen e shqyrtimit të nismës dhe një proces më të gjerë konsultimi me ekspertët. Deputeti i PD-së, Eno Bozdo, kërkoi që mazhoranca të mos nxitojë me procedurën dhe të marrë në konsideratë alternativat e opozitës.

“Jeni në kohë për ta bllokuar procedurën. Duhet të dëgjoni e të ngarkoni ekspertët, të dilni me variantin ose variantet më të mira. Nga ana e opozitës nuk ka pasur kurrë qëllim për ta bllokuar procesin, veçse për të propozuar variantin më të mirë të mundshëm”, deklaroi Bozdo.

Ndërkohë, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzoi mazhorancën se ka refuzuar kërkesën për ndërprerjen e shqyrtimit të projektligjit dhe e cilësoi reformën si një proces me pasoja të rëndësishme për përfaqësimin dhe vetëqeverisjen vendore.Ai kundërshtoi ndryshimet e propozuara për 15 bashkitë, duke deklaruar se reforma e re rrezikon të dëmtojë interesat e komuniteteve dhe të rrisë përqendrimin e pushtetit. Bylykbashi e cilësoi reformën si një ndër proceset më të rëndësishme për organizimin e pushtetit vendor dhe akuzoi mazhorancën se po synon përqendrimin e pushtetit.

“Kërkesave tona për ndërprerjen e shqyrtimit të këtij projektligji dhe pezullimin deri sa të vijmë te konsultimi i projektligjit tjetër, ju e refuzuat. Ju keni marrë një vendim politik sot në grupin parlamentar që i mbivendoset Kushtetutës. Interesin publik, demokracinë, përfaqësimin, vetëqeverisjen, interesat e komuniteteve kulturore, ekonomike, traditat, s’mund t’i vrasë një PoëerPoint i propozuesve, ku me disa pika përpiqen të arsyetojnë pse duhet të vriten këto 15 bashki. Masakruan bashkitë para 12 vitesh, nga 373 bashki dhe komuna i bënë 61 dhe tani vazhdon projekti i Edi Ramës për ta kthyer Shqipërinë në një bashki të vetme”, tha Bylykbashi.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se pretendimet për antikushtetutshmëri nuk qëndrojnë, ndërsa pranoi rëndësinë e reformës dhe nevojën për të trajtuar edhe çështjet që lidhen me autonominë vendore. Ai sqaroi se çështjet që lidhen me decentralizimin, kompetencat, funksionet dhe buxhetimin e bashkive do të trajtohen në paketën e ndryshimesh, e cila do të shoqërojë hartën e re territoriale.

“Pretendimet për antikushtetutshmëri të këtij procesi, në frymë dhe germë të ligjit të vitit 2015, unë bashkohem me ju në një pikë: është reformë shumë e rëndësishme. Nëse keni një shqetësim për decentralizmin, autonominë, funksionet, kompetencat dhe buxhetimin e bashkive, jam dakord që pasi të votohet ky projektligj, pasi të shkojë në seancë plenare, patjetër që do të vijë paketa e ndryshimeve sa u takon këtyre çështjeve që ju ngrini, pasi janë pjesë përbërëse e asaj pakete që shoqëron hartën territoriale. S’mund të vijë më përpara”, tha Manja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›