E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni miraton uljen e akcizës për naftën dhe benzinën për të mbrojtur konsumatorët

Komisioni i Ligjeve miratoi aktin normativ që parashikon uljen me 20% të akcizës sa herë çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë.

Kjo masë fiskale, që do të qëndrojë në fuqi deri në përfundim të situatës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, u aplikua për herë të parë më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti 233 lekë, por qytetarët e paguan 224 lekë për litër.

Zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti, deklaroi se ulja totale e taksave arrin në 9.5 lekë për litër, pasi bashkë me akcizën ulet edhe TVSH-ja.

Sipas tij, rritja e çmimeve ka sjellë më shumë të ardhura në buxhet, me rreth 553 milionë lekë shtesë dhe një rritje të konsumit me 3% krahasuar me marsin 2025.

Ndërkohë, efekti negativ nga ulja e akcizës për periudhën 1–24 prill ishte vetëm 37 milionë lekë.

Në komisionet parlamentare u shqyrtua edhe propozimi i deputetit Eno Bozdo për uljen e taksës së qarkullimit, por ai u rrëzua nga mazhoranca që e konsideron situatën nën kontroll.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›