E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural miratoi dy projektligje

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi dy projektligje.

Në fillim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për grupimet ekonomike me interes evropian”, nismë e deputetes Milva Ekonomi dhe e Këshillit të Ministrave. I ftuar ishte edhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit Enkelejd Musabelliu.

Gjatë prezantimit, Ekonomi paraqiti qëllimet e projektligjit, i cili synon krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e grupimeve ekonomike me interes evropian, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. po ashtu, diskutimet u përqendruan në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve ekonomike, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e aktivitetit ekonomik, përfshirë sektorin bujqësor dhe agro-ushqimor.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Në vijim, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, ku të ftuar ishin zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural  Fatmir Guri dhe stafi shoqërues.

Gjatë diskutimeve u theksua se projektligji synon krijimin e një mekanizmi modern për tregtimin dhe financimin e produkteve bujqësore, duke rritur sigurinë juridike të transaksioneve, përmirësuar aksesin e fermerëve në financim dhe nxitur zhvillimin e tregut bujqësor. Anëtarët e komisionit diskutuan gjithashtu ndikimin që pritet të ketë ky instrument në rritjen e formalizmit të sektorit dhe forcimin e zinxhirit të vlerës së produkteve bujqësore.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›