E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmon kandidatët për ambasadorë në BE dhe Belgjikë, pritet dekretimi nga Presidenti

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, ka zhvilluar sot seancat dëgjimore për dy nga postet më të rëndësishme të shërbimit tonë diplomatik. Albana Dautllari dhe Gazmend Barbullushi morën pëlqimin e komisionit për të përfaqësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian, Belgjikë dhe Luksemburg.

Integrimi dhe mbrojtja e interesave në BE

Kandidatja për Ambasadore në Misionin e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, Albana Dautllari, prezantoi përpara deputetëve një platformë të qartë të fokusuar te përshpejtimi i procesit të integrimit. Gjatë dëshmisë së saj, Dautllari nënvizoi se misioni në Bruksel do të jetë “vija e parë e frontit” për mbrojtjen e interesave kombëtare në selinë e BE-së, duke synuar një koordinim më të ngushtë me institucionet evropiane në këtë fazë kritike të negociatave.

Forcimi i marrëdhënieve me vendet e Beneluksit

Në vijim, Gazmend Barbullushi u prezantua si kandidati për Ambasador në Mbretërinë e Belgjikës (rezident) dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut (jo rezident). Karriera e tij e gjatë diplomatike u cilësua si një garanci për tërheqjen e investimeve nga dy qendra financiare kryesore të Evropës; forcimin e lidhjeve politike me vendet kyçe që mbështesin rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Procedura, nga Kuvendi te Presidenti

Prezantimi i kandidatëve u bë nga zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, e cila vlerësoi profilin profesional të diplomatëve. Pas një sesioni pyetje-përgjigjesh mbi sfidat e politikës së jashtme, anëtarët e komisionit dhanë miratimin e tyre unanim.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit për shërbimin e jashtëm, opinioni i Komisionit do t’i përcillet menjëherë Presidentit të Republikës, i cili ka kompetencën fundore për dekretimin e ambasadorëve të rinj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›