E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca “Adriatik 2026”, Sula: Mbi 7 mijë inspektime në terren për sezonin turistik

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Forcimi i koordinimit ndërinstitucional, garantimi i sigurisë dhe zbatimi i standardeve evropiane janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit shqiptar dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit si destinacion turistik.

Ky ishte mesazhi i Inspektorit të Përgjithshëm, Dasnor Sula, në Konferencën Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026”, që u mbajt në Tiranë, me temë “Koordinim – Siguri – Standarde Evropiane”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, biznesit dhe strukturave inspektuese.

Sula vlerësoi zhvillimin e vrullshëm të sektorit turistik në Shqipëri, të reflektuar në rritjen e numrit të vizitorëve, zgjerimin e investimeve dhe promovimin e destinacioneve të reja turistike, duke theksuar se këto zhvillime kërkojnë institucione gjithnjë e më profesionale dhe të koordinuara.

“Në një sektor ku ndërthuren mjedisi, siguria ushqimore, shëndeti publik, mbikëqyrja e tregut, marrëdhëniet e punës dhe administrimi i territorit, efektiviteti i institucioneve matet nga aftësia për të bashkëpunuar dhe për të vepruar në mënyrë të koordinuar”, u shpreh ai.

Duke paraqitur të dhënat e sezonit turistik 2026, Sula bëri të ditur se strukturat inspektuese kanë realizuar 7018 inspektime në terren, gjatë të cilave janë evidentuar 1080 raste të mospërputhjes me kërkesat ligjore. Si rezultat janë vendosur 59 masa administrative me gjobë dhe janë dhënë 1021 paralajmërime.

“Këto shifra nuk përfaqësojnë thjesht statistika, por punën e përditshme të qindra inspektorëve në mbrojtje të interesit publik dhe garantimin e standardeve që kërkojnë qytetarët dhe vizitorët”, tha ai teksa nënvizoi se, sfidat e kohës lidhen me sigurinë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit publik, respektimin e standardeve mjedisore, sigurinë e produkteve dhe shërbimeve, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe luftën kundër informalitetit.

Sipas tij, turizmi shqiptar është i lidhur ngushtë me mbrojtjen e pasurive natyrore dhe cilësinë e mjedisit, ndaj respektimi i standardeve mjedisore, menaxhimi i mbetjeve dhe mbrojtja e ekosistemeve janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Inspektori i Përgjithshëm theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të proceseve inspektuese dhe përdorimit të analizës së riskut për të rritur efikasitetin, transparencën dhe cilësinë e vendimmarrjes institucionale.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, ai nënvizoi se sfida kryesore mbetet jo vetëm harmonizimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe zbatimi efektiv i tij në praktikë.

Në përfundim, Sula apeloi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërtimin e një kulture të re përputhshmërie, ku respektimi i standardeve të shihet si pjesë e zhvillimit dhe suksesit të sektorit turistik.

“Koordinimi rrit efektivitetin institucional, siguria ndërton besimin e qytetarëve dhe vizitorëve, ndërsa standardet evropiane garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri afatgjatë”, përfundoi ai.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›