Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Nikola Špiriæ
-Pas takimit mes tyre, të dy Kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha: Së pari, ju falënderoj për ftesën dhe dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona. Erdha këtu që të shtyj përpara marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, ndonëse në dy - tre vitet e fundit marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë intensifikuar më shumë se kurrë, çka tregon vullnetin e fortë të qeverive dhe institucioneve tona për bashkëpunim, si dhe ndjenjat miqësore që kanë popujt tanë. Prej 13 vjetësh një njësi ushtarake shqiptare është këtu, në Bosnje – Hercegovinë, si një gjest vullneti i vendit tim për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin e vendit tuaj dhe të rajonit.
Gjithashtu, unë jam shume i kënaqur që Bosnje – Hercegovina, e cila ka pasur një të kaluar shumë të vështirë, në vitet e fundit ka bërë progres shumë të madh, gjë e cila është meritë e popullit, qeverisë dhe institucioneve të Bosnje – Hercegovinës.
Tani është një kohë krize e thellë në vendet më të zhvilluara në botë. Kjo krizë nuk do të jetë e shkurtër, por ekonomitë e Shqipërisë dhe Bosnje – Hercegovinës po mbahen mirë dhe do të kenë një rritje solide këtë vit. Kjo është sepse qeveritë tona kanë ndjekur politika të mira dhe të drejta.
Ne ramë dakord që do të bëjmë çdo përpjekje për të forcuar bashkëpunimin tonë, për të lehtësuar pasojat e kësaj krize botërore. Marrëveshjet që nënshkruam sot janë shumë të rëndësishme në këtë kontekst. Ne folëm për të inkurajuar investitorët boshnjakë që të investojnë në Shqipëri. Shqipëria është një vend i vogël, por që ka potencial jashtëzakonshëm për investimet e huaja. Ajo ka rreth 400 kilometra vije detare, rreth 95 % e së cilës është e paprekur dhe investitorët e Bosnje- Hercegovinës janë të mirëpritur. Shqipëria është e pasur me ujëra, do të ndërtohen 400 HEC-e të dimensioneve të ndryshme dhe investitorët e Bosnje- Hercegovinës janë më se të mirëpritur të investojnë në prodhimin e energjisë hidrike. Gjithashtu, mund të bashkëpunojmë për gazsjellës dhe Shqipëria ka depozita shumë të mëdha gazi, të cilat mund të mjaftojnë për gjithë rajonin. Ne nënshkruam sot Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë dhe shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Bosnje- Hercegovinës të vizitojnë Shqipërinë këtë verë, ku do të gjejnë një klimë të ngrohtë.
Të dyja vendet janë në procesin e integrimit. Në prill, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Ne mbështesim plotësisht integrimin e Bosnje- Hercegovinës në NATO.
Faleminderit për angazhimin tuaj në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona.
Kryeministri Nikola Špiriæ: Rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona kanë qenë të matshme. Marrëveshjet që në nënshkruam sot janë shumë të rëndësishme për të dy vendet tona. Ne kemi konkluduar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në shumë fusha, janë shumë të mira, por mund të forcohen edhe në disa fusha të tjera si turizëm, ekonomi, kulturë, arsim, etj. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira tregtare më Shqipërinë dhe do të bëjmë përpjekje më të mëdha për të hapur vendet tona, në mënyrë që kompanitë e Bosnje- Hercegovinës dhe Shqipërisë të kenë lehtësira për të vepruar ndërmjet dy vendeve. Kemi rënë dakord se do të bëjmë marrëveshje të tjera si, në luftën kundër kriminalitetit, trafikut të drogës dhe terrorizmit, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e stabilitetit.
Marrëveshja për Ripranimin, që nënshkruam sot, është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Heqja e vizave ndërmjet dy vendeve tona do të jetë shumë e dobishme për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit dhe shkëmbimeve tregtare midis vendeve. Patëm rastin të informoheshim për ecurinë politike dhe ekonomike, si dhe për reformat që ka janë bërë në Shqipëri. Ne do të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin rajonal, për të treguar se jemi gati të luajmë një rol stabilizues në rajon.
E falënderoj Kryeministrin Berisha për iniciativat e tij, për të cilat patëm rezultate pozitive.
Pyetje: Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Špirić, çfarë masash konkrete do të merrni për te forcuar marrëdhëniet?
Kryeministri Berisha: Kemi vendosur që të hapim një ambasadë në Bosnje- Hercegovinë. Ketë e premtova gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe do ta mbaj këtë premtim.
Nikola Špirić: Bosnje- Hercegovina do të bëjë çdo përpjekje për të hapur ambasadën e saj në Shqipëri. Marrëveshjet që nënshkruam do të thotë lëvizje konkrete për të përmirësuar bashkëpunimin dhe marrëveshje të tjera do të nënshkruajmë. Kryeministri Berisha ka të drejtë kur thotë se në këto tre vjet kemi përmirësuar shumë marrëdhëniet politike ndërmjet vendeve tona.
24/03/2009