Konfirmohet rasti i parë i murtajës tek kafshët në Kosovë

PRISHTINË, 3 korrik/ATSH/ Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pranuar njoftimin mbi dyshimet për prezencë të sëmundjes Murtaja e ruminantëve të vegjël (dhenve dhe dhive) në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.
AUV thotë se menjëherë janë aktivizuar ekipet e inspektorëve të mjekësisë veterinare, të cilët kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e dyshuar nga e cila janë marrë mostrat për testim.
“Sot në mëngjese Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar prezencën e sëmundjes në fermën e dyshuar. Mostrat e testuara në fermat përreth kanë rezultuar negativ. Në zbatim të mandatit ligjorë bazuar në rezultat të analizave laboratorike AUV ka shpallur fshatin Landovicë vatër të infektuar, në perimetër prej 3 km nga ferma e prekur. Kjo zonë është vendosur në masë karantine, ndalim të lëvizjes se çdo kafshe, transport apo qarkullim të produkteve dhe nënprodukteve të kafshëve. Fermat përreth janë vendosur nën masën e dyshimit për hulumtim epidemiologjitk, hulumtimin e burimit të infektimit dhe kontakteve të mundshme me fermën e infektuar. Janë vend në zbatim masat e biosigurisë ne ferma, si dhe dezinfektimi i fermave dhe zonave përreth sipas protokolleve veterinare”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më 3 korrik 2025 ka nxjerrë ‘’Vendim’’ me nr. 01/537/2025 për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël).Ndërsa, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më njëmbëdhjetë qershor (11 qershor) ka njoftuar ndalimin e importit të deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë, pas konfirmimit të rasteve të shumta të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta.
Po ashtu një javë parë, pas konfirmimit të rasteve të para me sëmundjen ‘’Gjuha e Kaltër’’ në Maqedoninë e Veriut, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka vendosur masë ndalese të pakohshme për import të ruminantëve të vegjël dele dhe dhi ndaj këtij shteti fqinjë. /KosovaPress/