E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konfirmohet vrasja e Ali Larijanit, Izraeli godet “zemrën” e strategjisë iraniane

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka thyer heshtjen, duke konfirmuar vdekjen e sekretarit të tij, Ali Larijani. Sipas deklaratës zyrtare, Larijani u vra gjatë një sulmi ajror izraelit, ku mbetën të vdekur edhe djali i tij, Morteza Larijani, kreu i zyrës së tij, Alireza Bayat, si dhe disa roje shoqëruese.

Ky njoftim pason pretendimet e Tel Avivit, i cili deklaroi se kishte eliminuar dy figura kyçe të regjimit: Larijanin dhe gjeneralin Gholam Reza Soleimani, kreun e milicisë paraushtarake Basij.

Figura më e fuqishme pas vrasjes së Khameneit

Vrasja e Ali Larijanit konsiderohet si fundi i një epoke në politikën iraniane. Ai ishte ngritur në pozicionin e figurës më të fuqishme në vend që prej ditës së parë të luftës, kur udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, mbeti i vrarë në një tjetër sulm ajror.

Larijani nuk ishte thjesht një zyrtar, por pjesë e asaj që mediat ndërkombëtare e kanë quajtur shpesh “familja Kennedy e Iranit”, për shkak të ndikimit të jashtëzakonshëm të dinastisë së tij në strukturat e shtetit. Me një karrierë të gjatë si ish-kryetar parlamenti dhe këshilltar i lartë politik, ai ishte njeriu që udhëhiqte strategjinë e bisedimeve bërthamore me administratën e Presidentit Donald Trump.

Sanksionet dhe roli në shtypjen e protestave

Pavarësisht profilit të tij si strateg dhe diplomat, Larijani mbante një peshë të rëndë në aparatin e dhunës së regjimit. Në janar të këtij viti, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e vendosi atë në listën e sanksioneve për rolin e tij të drejtpërdrejtë në “koordinimin” e shtypjes së dhunshme të protestave mbarëkombëtare që tronditën Iranin.

Eliminimi i tij, së bashku me atë të kreut të forcave Basij, e lë udhëheqjen iraniane në një vakum të paprecedentë fuqie, ndërkohë që vendi po përballet me njërën prej krizave më ekzistenciale në historinë e Republikës Islamike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›