E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi Botëror i Ligjit: Shqipëria, kontribuuese aktive në dialogun global për sundimin e ligjit

Shoqata Botërore e Juristëve në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë, gjyqtarëve ndërkombëtarë, ekspertëve dhe akademikëve të së drejtës nga e gjithë bota do të zhvillojë në Tiranë Kongresin Botëror të Ligjit.

Në takimin që do të mbahet në datën 6-7 maj, sipas Shoqatës Botërore të Juristëve, Shqipëria vlerësohet si kontribuuese aktive në dialogun global për sundimin e ligjit

“Sundimi i ligjit nuk jepet, ai ndërtohet.” – është ky një nga mesazhet që do të vijë si një zë i përbashkët ndërkombëtar, për drejtësinë, nga Tirana, e cila përgjatë dy ditëve do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për një nga temat më thelbësore për të ardhmen e shoqërive demokratike, përmes Sesionit Hapës të Kongresit Botëror të ligjit, që do të mbahet në kryeqytet.

Shqipëria përfaqësohet tashmë me një rol të ri në skenën ndërkombëtare, nga një vend që dikur kërkonte drejtësi me standarde evropiane, sot kontribuuese aktive në dialogun global për sundimin e ligjit, dëshmi kjo e progresit dhe transformimit të sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Aktivitetet do të nisin më 6 maj me ceremoninë e dhënies së titujve Doctor Honoris Causa për personalitete të shquara të fushës së ligjit, që do të mbahet në Universitetin e Arteve në Tiranë, ndërsa më 7 maj do të zhvillohet ceremonia zyrtare e Sesionit Hapës në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në mesin e të ftuarve të nivelit të lartë do të jenë Presidenti i SHBJ-së, Javier Cremades; ish-Komisionerja Evropiane për Drejtësinë, të Drejtat Themelore dhe Shtetësinë, Viviane Reding; Drejtorja Ekzekutive e Fondacionit Botëror të Ligjit, Angela Montoya; si dhe figura të tjera të rëndësishme të jurisprudencës ndërkombëtare. Gjithashtu, përmes një mesazhi video do të përshëndesë edhe Presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Mattias Guyomar. Në sesionin hapës do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Ky event shënon një moment të rëndësishëm në rrugën drejt Kongresit Botëror të Ligjit 2027, duke riafirmuar angazhimin e bashkësisë ligjore ndërkombëtare për një rend botëror të qeverisur nga ligji.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›