E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës-Osmani pret Fatmir Limajn

Teksa Kosova përpiqet të konstituojë Kuvendin, por që deri më tani seancat plenare kanë dështuar, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në një takim kryetarin e ‘Nismës Socialdemokrate’, Fatmir Limaj.

Referuar njoftimit të Presidencës, bëhet e ditur se ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik.

Në njoftim thuhet se presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit.

Ndërkaq, ditën e djeshme Osmani paralajmëroi duke thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri në afatin e 26 korrikut, ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar një zgjidhje ligjore. Osmani theksoi se mosrespektimi i këtij afati duhet të ketë pasoja juridike.

“Unë jam e bindur që nëse ky afat s’respektohet duhet të ketë pasoja juridike,” deklaroi ajo në një konferencë për media. “A nënkupton kjo që secili Kuvend i konstituar pas 26 korrikut është kundërkushtetues? A nënkupton kjo se një Kuvend jokushtetues s’mund të zgjedhë as qeveri? Sepse nëse vazhdohet edhe pas 26 korrikut, atëherë për çfarë arsye është vendosur ai afat.”

Roli i presidentes dhe paralajmërimi i saj

Osmani e bëri të qartë se nuk është roli i saj të negociojë koalicionet, pasi kjo është e ndaluar me Kushtetutë. Ajo shtoi se nuk ka të drejtë të shpërndajë Kuvendin në këtë fazë dhe të çojë vendin në zgjedhje të reja, pasi kjo mund të ndodhë vetëm pas konstituimit të tij.

Për këtë arsye, ajo lëshoi një paralajmërim të qartë për partitë politike: “Nëse gjatë vikendit (fundjavës) s’ka marrëveshje për institucionet e konstituara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës.”

Presidentja u bëri thirrje forcave politike që të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund dëmit që po i shkaktohet vendit, duke theksuar rrezikun që i kanoset Kosovës nga kjo situatë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›