E Martë, 3 Nëntor 2026

Konsultime për draftprojektligjin e financimit të partive politike, Xhafaj: Duhet të ruajmë standardet më të mira

TIRANË, 23 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj vlerësoi sot rëndësinë e hartimit të një drafti lidhur me çështjen e financimit të partive politike.

Gjatë një tryeze konsultimi të draftit paraprak të projektligjit “Për financimin e partive politike”, Xhafaj tha se kjo mbetet një çështje tejet e rëndësishme pasi lidhet me shtyllën antikorrupsion dhe është përcaktuar si prioritet në Planin e Veprimit.

Kjo, sipas tij, përkon njëkohësisht edhe me disa detyrime që ka Shqipëria në kuadrin e procesit të negociatave.

“Ky draft është kusht i përcaktuar nga BE, që do të duhet të jetë në listën e projekt-akteve që janë detyrim i shtetit shqiptar për t’u hartuar dhe miratuar”, tha Xhafaj, ndërsa pranoi se kjo është një vendimmarrje e vështirë.

Xhafaj nënvizoi se ky është një projekt shumë i vështirë, edhe për shkak se eksperienca është minimaliste dhe interesat në këtë aspekt janë shumë të forta.

“Këtu subjekte të drejtpërdrejta janë partitë politike. Por edhe për shkak të disa praktikave jo të shëndetshme që mendohen ose perceptohen që janë të pranishme sidomos kur bëhet fjalë për financimin e fushatave zgjedhore. Por ne nuk duam ta shohim çështjen e financimit vetëm në aspektin zgjedhor, por duam ta shohim shumë më gjerë”, shtoi Xhafaj.

Dilema, sipas tij, ka të bëjë me faktin nëse do të duhet të bëhen ndryshime në kuadrin ligjor ekzistues që ka vendi, apo të bëhet një ligj i ri që është i dedikuar vetëm për financimin e partive politike.

“Natyrisht edhe ne kemi këndvështrimet tona të cilat janë të diskutueshme, të debatueshme dhe kjo është arsyeja kryesore që ne kërkuam të kemi këtë tryezë sot për të tërhequr mendime nga ky auditor dhe në vijimësi edhe nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha Xhafaj.

Sipas tij, “Bashkimi Europian ja ka deleguar Këshillit të Europës përgjegjësinë për të na asistuar edhe për shkak të eksperiencës të dedikuar dhe ekspertizës shumë të mirë që ka Këshilli i Europës në në këtë fushë”.

“Ndaj do të duhet të hartojmë një draft paraprak për ta parë me këtë ekspertizë. Ne do shohim se cila është më e përshtatshme, një ligj i posaçëm, i dedikuar për këtë çështje apo një amendim i legjislacionit ekzistues. Pasi të kemi zgjidhur këtë vendimmarrje do të kalojmë në hartimin e draftit. Më e rëndësishmja është të bëjmë diçka me standardet më të mira”, shtoi ai.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›