E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolle intensive me pajisje inteligjente në Fier, 7 të proceduar penalisht dhe qindra masa për tejkalim shpejtësie

Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar monitorimin në akset kryesore rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të rrethit, duke përdorur pajisje inteligjente për parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e rrjedhshmërisë së trafikut.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara përgjatë kësaj jave, blutë e Fierit kanë proceduar penalisht 7 shtetas për shkelje të rënda të dispozitave të Kodit Rrugor. Ndër ta, 1 drejtues mjeti është arrestuar në flagrancë pasi po drejtonte automjetin në gjendje të dehur, 4 persona po ndiqen në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe 2 të tjerë janë proceduar për përfshirje në aksidente rrugore.

Përveç masave penale, grupet e kontrollit të vendosura në rrugët urbane, lokale dhe në autostradën A2 kanë vendosur një sërë masash administrative:

  • 888 masa për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2;
  • 44 masa për parakalime të gabuara;
  • 17 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit;
  • 11 masa për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;
  • 9 masa për përdorim të celularit gjatë timonit;
  • 107 masa për shkelje të tjera të rregullave që përbëjnë burim rreziku.

Gjatë këtij aksioni, efektivat e policisë kanë sekuestruar gjithashtu 4 motomjete që qarkullonin në rrugë pa dokumentacionin përkatës dhe pa targa.

Policia Rrugore e Fierit përsëriti apelin ndaj të gjithë përdoruesve të rrugës për respektim rigoroz të normave të qarkullimit, me synim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe garantimin e një lëvizjeje të sigurt e pa pengesa.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›