Kontrolle në bregdetin e Lezhës, Gonxhja: Asnjë tolerancë ndaj zaptimeve të paligjshme

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se kontrollet dhe monitorimet në vijën bregdetare të Lezhës po vijojnë intensivisht për të garantuar ruajtjen e hapësirave publike dhe aksesin e lirë të qytetarëve në plazhe. Përmes pamjeve të publikuara në Facebook, ministri theksoi se Agjencia Kombëtare e Bregdetit është e angazhuar në terren përgjatë gjithë vijës bregdetare të Lezhë, duke mbikëqyrur zbatimin e rregullave për administrimin e stacioneve të plazhit.
Sipas Gonxhes, monitorimet fokusohen në mbrojtjen e hapësirave publike të plazhit dhe garantimin e aksesit të lirë për pushuesit, në përputhje me hartën e stacioneve të plazhit të miratuar nga Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik dhe të propozuar nga pushteti vendor.
“Prania e vazhdueshme në terren synon parandalimin e çdo zaptimi të paligjshëm dhe respektimin e rregullave për administrimin e hapësirave bregdetare gjatë sezonit turistik 2026, sipas tipologjive dhe kontratave të menaxhimit”, theksoi ministri.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim garantimin e standardeve të menaxhimit të plazheve dhe mbrojtjen e interesit publik në zonat bregdetare.