E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Koordinata”, asgjësohen 9317 bimë narkotike në qarkun e Shkodrës

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Në kuadër të operacionit policor “Koordinata” në qarkun e Shkodrës janë gjetur dhe asgjësuar 9317 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa. Policia njoftoi sot se shpalli në kërkim një 52-vjeçar, i cili kishte kultivuar bimë narkotike në banesën e tij, në fshatin Kamicë si dhe u procedua penalisht, për shpërdorim detyre, kryetari i fshatit Ndrejaj.

Konkretisht sipas njoftimit të policisë së Shkodrës në territorin e njësive administrative Shosh e Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4403 bimë të dyshuara narkotike, kanabis sativa.

“Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Ndrejaj, shtetasin N. V”, njoftoi policia.

Sipas policisë në territorin e njësive administrative Kastrat e Qendër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, gjetën dhe asgjësuan 347 bimë të dyshuara narkotike kanabis.

“Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasin A. H., 52 vjeç, pasi dyshohet se kishte kultivuar 46 bimë narkotike në banesën e tij, në fshatin Kamicë”, njoftoi policia.

Policia njoftoi se në territorin e njësive administrative Shllak e Temal, policia e Vaut të Dejës gjeti dhe asgjësoi 4547 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu sipas policisë në territorin e njësisë administrative Fierzë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën dhe asgjësuan 20 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

Policia bëri të ditur se vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

/m.q//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›