Korabi konfirmon në stol trajnerin Alfred Deliallisi

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Alfred Deliallisi do të jetë trajner i Korabit edhe për sezonin 2025-2026, në Kategorinë e Parë.
Klubi dibran ka konfirmuar 32-vjeçarin në stol, pasi i shpëtoi nga mbijetesa në sezonin e fundit.
Sipas njoftimit të klubit, janë shpalosur objektiva ambiciozë për sezonin e ardhshëm.
“Deliallisi në drejtim të KF Korabi për 2025-2026! Pas një viti të vështirë ku arritëm objektivin kryesor dhe shpëtuam sezonin me shumë dinjitet, Klubi i Futbollit Korabi është i lumtur të njoftojë rinovimin e kontratës me trajnerin tonë, Alfred Deliallisi.
Sot, pas një vizite në qytetin tonë të Peshkopisë dhe ambientet sportive të klubit, u zhvillua prezantimi zyrtar i trajnerit dhe u shpalosën objektivat ambicioze për sezonin e ardhshëm. Me punën e përbashkët dhe përkushtimin, jemi të bindur se do të arrijmë suksese edhe më të mëdha. Bashkë me ju, ne vazhdojmë të ndërtojmë historinë e Korabit”, njofton klubi përmes një postimi në rrjetet sociale.
Deliallisi mori drejtimin e Korabit në muajin mars dhe falë rezultateve pozitive, arriti të shmangë mbijetesën, ndërsa tani do të synohet renditja në gjashtë vendet e para.
/gj.m//a.f//r.e/