E Hënë, 2 Nëntor 2026

Korçë – Qendër në ndihmë për nënat dhe fëmijët, inagurohen ambientet e reja

Është inaguruar në Korçë Qendra e Shërbimit Mbështetës për Fëmijët dhe Familjen. Veç funksioneve të tjera ditore kjo qendër do të funksionojë si një qendër emergjence për nënat dhe fëmijët për një periudhë tre ditore.

Bashkia e Korçës nëpërmjet donatorëve ka bërë të mundur rikonstruksionin e katit të dytë të kësaj qendre duke ofruar të gjitha kushtet e duhura për strehimin e nënave dhe fëmijëve në situatë emergjente.

“Një shërbim në fakt i ngritur para 5 vitesh. Më vjen mirë që sot jemi në këtë qendër që përvec shërbimit ditor që kjo qendër ofron çdo ditë për nenat dhe fëmijët kemi ambicjen që të kaljon në një shërbim emergjent për fëmijët dhe nënat”, tha Marjana Jorgji, Drejtore e Shërbimit Social Bashkia Korçë.

Të pranishëm në inagurimin e qendrës kanë qenë aktorë të shumtë të institucioneve vendore, donatorët si dhe përfaqësuesit më të lartë të Bashkisë së Korçës.

“Kjo godinë do të jetë në funksion të një njësie të ngritur relativisht së fundmi që synon të ofrojë  shërbime për fëmijët dhe nënat sipas një koncept të ri që është paraqitur së fundmi. Unë besoj që do të jetë e ardhmja e shërbimeve sociale jo vetën në qytetin tonë, por në të gjithë vendin”, tha Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë Korçë.

Kontributi im është shumë i vogël, kontributi më i madh është i juaji që punoni çdo ditë, tha Erjola Xheko, Donatore

Të gjithë të pranishmit kanë vizituar ambientet e reja të qendrës duke vlerësuar investimet e kryera dhe standardet e arritura në ofrimin e shërbimeve. Qendra e Shërbimit Mbështetës për Fëmijët dhe Familjen ka si synim të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen duke ofruar strehim deri në një periudhë 6-mujore për nënat dhe fëmijët në situatë emergjente.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›