E Martë, 3 Nëntor 2026

Korçë, 55 forca në terren për fikjen e zjarrit në Dishnicë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole bëri të ditur sot situatën në dy vatrat e zjarrit në këtë qark.

Rasti i vatrave të zjarrit në territorin e bashkisë Devoll pranë fshatit Vernik paraqitet më e normalizuar. Prej orës 5:00 janë duke punuar 75 forca nga Mbrojtja nga Zjarret dhe Shpëtimi (MZSH), shërbimi pyjor e publik. Ekspertët në terren besojnë se këto vatra do të neutralizohen, në rast se nuk do ketë riaktivizim prej erës dhe temperaturave që edhe sot janë të larta.

Ndërsa sa i përket zjarrit në Dishnicë, edhe aty po luftojnë me flakët 55 forca të MZSH si dhe nga shërbimi pyjor e publik. Distanca është e largët dhe terreni i thepisur e në lartësi. Vatrat e zjarrit janë të favorizuara nga era dhe humusi, si dhe dendësia e bimësisë së shumëllojshme.

Qarku Korçë mori udhëzimet përkatëse nga mbledhja e Komitetit të Mbrojtjes Civile në nivel kombëtar. Në bazë të këtyre udhëzimeve u nda plani i masave me institucionet e përfshira në mekanizmin e mbrojtjes civile, për rritjen e nivelit të gatishmërisë, vigjilencës dhe monitorimit të pandërprerë në territorin e çdo bashkie. /j.p/

1 nga 6

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›