E Diel, 1 Nëntor 2026

“Korrupsion aktiv në zgjedhje”, SPAK mbyll hetimet, çon për gjykim kryebashkiakun e Vaut të Dejës

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, gjatë hetimeve, të zhvilluara përmes metodave speciale hetimore si përgjime telefonike, vëzhgime në terren dhe veprime të tjera procedurale, është arritur në përfundimin se Kristian Shkreli, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Vau Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme që synonin ndikimin e votuesve në zonën e fshatit Stajkë.

Sipas akuzës, gjatë fushatës zgjedhore, Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve në këmbim të votës së tyre në favor të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Njoftimi i SPAK: 

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 23.10.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimit penal nr. 49/1, të vitit 2025 (i ndarë nga procedimi penal nr. 49 i vitit 2025), në ngarkim të të pandehurit Kristian Shkreli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore, (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë. 

Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›