Korrupsion në zgjedhje, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kreun e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla.
Memolla është akuzuar për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Sipas SPAK, ai ka ndikuar tek shtetasi Blerim Xhamani me profesion elektricist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit të vitit 2022.
Edhe Xhamani është dënuar me 1 vit burg, pasi u shpall fajtor për dy akuza, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Edhe Ndriçim Tafxhafa është dënuar po me 1 vit burg, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Memolla u hetua në gjendje të lirë dhe u dënua nga GJKKO në janar 2025, vendim të cilin e ankimoi në Apel. Me dhënien e dënimit të formës së prerë, Memolla pritet të arrestohet për të vuajtur dënimin me 1 vit burg.
/rtsh.al/