E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni te AKSHI, prej një muaji “black out” të dhënash nga thesari! Ku shkojnë paratë?

Publikimi i të dhënave mbi pagesat dhe transaksionet e Thesarit është ndërprerë që prej datës 26 shkurt në faqet zyrtare të shtetit shqiptar, duke ngritur shqetësime serioze për transparencën e financave publike.

Alarmi është ngritur nga Open Data Albania, e cila evidenton mungesën e aksesit në një nga instrumentet kryesore të monitorimit të shpenzimeve publike.

Sipas informacionit të publikuar, ndërprerja nuk lidhet me ndonjë vendim apo ndryshim të shpallur zyrtarisht në politikat e publikimit të të dhënave.

Burimet e lidhin situatën me ndryshimet e shumta në stafin e teknologjisë së informacionit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Stafi i ri, sipas të dhënave, nuk ka marrë ende plotësisht në dorë funksionet që lidhen me mirëmbajtjen e sistemit, ndërsa ekziston rreziku që kjo situatë të zgjasë në kohë. Kjo krijon një precedent ku institucionet nuk përmbushin një nga detyrimet bazë, atë të garantimit të transparencës publike.

Sistemi i publikimit të të dhënave të Thesarit ka funksionuar për vite si një mekanizëm i konsoliduar, që u mundësonte qytetarëve dhe organizatave të interesuara të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme përdorimin e fondeve publike, institucionet që kryejnë pagesa dhe përfituesit e tyre.

Me ndërprerjen e këtij publikimi, publiku mbetet pa informacion mbi mënyrën se si po shpenzohen fondet, kush përfiton prej tyre dhe nëse këto pagesa kryhen në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Në këto kushte, rritet edhe rreziku që përfitues të caktuar të shmangin kontrollin publik, në një moment kur mungon një sistem i hapur dhe i aksesueshëm për verifikimin e shpenzimeve.

Ndërprerja e transparencës në një sistem të institucionalizuar ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin e administratës dhe menaxhimin e financave publike, duke lënë të hapur diskutimin nëse bëhet fjalë për paaftësi administrative apo për një ndërprerje të qëllimshme të aksesit në të dhëna.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›