E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Kosova e angazhuar për integrimin evropian”, Marta Kos: Serbia ka bërë hapa mbrapa! Qeveria e re ka mundësinë të kthejë faqen

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë gjatë prezantimit të planit të Komisionit Evropian për zgjerimin e Unionit, në Parlamentin Evropian.

Duke u ndalur fillimisht te Kosova, Kos vlerësoi angazhimin e saj për integrimin evropian, por theksoi se bllokada institucionale ka penguar përparimin e vendit në këtë proces.

Megjithatë, ajo nënvizoi se Kosova ka intensifikuar zbatimin e reformave dhe përshëndeti zgjedhjen e presidentes së re, duke shprehur shpresën se ky zhvillim do t’i japë vendit mundësinë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Më pas, komisionerja foli për situatën në Serbi, duke ngritur shqetësime për zhvillimet në fushën e demokracisë dhe të drejtave themelore.

Ajo deklaroi se Beogradi ka shënuar hapa pas në respektimin e të drejtave themelore, lirinë e medias dhe lirinë akademike.

Nga ana tjetër, Kos vuri në dukje se Serbia është ndër vendet kandidate që kanë përgatitjen e nevojshme për t’u përfshirë në tregun e përbashkët evropian.

Sipas saj, vendi ka tashmë një mundësi për të nisur një kapitull të ri, ndërsa qeveria e re mund të shfrytëzojë këtë moment për të forcuar demokracinë dhe për të ndërmarrë reformat e nevojshme që do të mundësonin përparimin në procesin e integrimit evropian.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›