E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kosova e pavarur, arritja e dytë madhore për Kombin”

18-10-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani përshëndet veprimtarinë “Shqipëria, 100 vjet Pavarësi. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Austrisë”

“Shqiptarët avancojnë drejt integrimit në BE, përmes reformimit tërësor social-ekonomik”

Marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Austrisë ishin objekt Konferencës që u mbajt në Tiranë në kuadër të 100 viteve të pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti i Republikës Bujar Nishani shprehu mirënjohje ndaj vendit mik, i cili mbështeti fuqishëm me diplomacinë e tij njohjen e shtetit shqiptar, ndërsa në 20 vitet e fundit, integrimin e tij në Bashkimin Evropian.
Kreu i shtetit shqiptar tha se shqiptarët po avancojnë drejt integrimit në familjen e madhe evropiane përmes bërjes së reformave dhe reformimit tërësor social-ekonomik të shoqërisë shqiptare. “Komisioni Evropian, nëpërmjet raport-progresit të fundit, ka njohur arritjet e vendit tonë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit ligjor, në zhvillimin e demokracisë bazuar në ekonominë e tregut të lirë dhe reformimin rrënjësor social-politik dhe të mentalitetit të shoqërisë shqiptare. Baza e të gjitha arritjeve gjatë dy dekadave të fundit është shpirti historikisht evropian i kombit shqiptar, i cili synon që përkatësinë e tij shpirtërore, kulturore dhe gjenetike evropiane, ta institucionalizojë nëpërmjet anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këtu e ka burimin mbështetja mbarë qytetare ndaj integrimit të vendit tonë në familjen evropiane. Shqiptarët janë treguar të gatshëm që, me bindje, të paguajnë çmimin e sakrificave, që reformat kanë kërkuar, për një të ardhme evropiane”, tha Nishani.
Duke folur për dimensionin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Nishani tha se arritja e dytë më rëndësishme e shqiptarëve është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, që merr një kuptim të veçantë në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Presidenti vlerësoi kontributin e Austrisë ndaj popullit shqiptar, si edhe rolin e saj në mbështetje të integrimit të rajonit tonë në BE.
“Vendimi i komitetit norvegjez për t’i dhënë BE çmimin Nobel për Paqen është moment mirënjohje e kontributeve të të gjitha shteteve dhe institucioneve të BE në formimin e Evropës. Austria jo anëtare shumë e hershme mbetet e rëndësishme, pasi është një kontributore kryesore e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në familjen evropiane”, deklaroi Nishani.
Teksa vlerësoi marrëdhëniet historike mes dy vendeve tona, Nishani u shpreh se Shqipëria do të zhvillojë këto marrëdhënie.
Perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe vendeve aspirante është e qartë, u shpreh Presidenti i Institutit për Rajonin e Danubit dhe të Evropës Qendrore, Erhard Busek. Ai deklaroi se zgjerimi evropian nuk do të ndalet pavarësisht vështirësive që po kalon unioni për shkak të krizës ekonomike. Sipas Busek, vendimi për zgjerimin që prej samitit të Selanikut vazhdon të mbajë të hapura dyert e unionit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›