E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova mbështet veprimet e SHBA-së në Venezuelë

PRISHTINË, 3 janar /ATSH/ Udhëheqësit e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e vendit të tyre për Shtetet e Bashkuara dhe presidentin amerikan, Donald Trump, pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, që pasoi sulme ajrore në kryeqytetin Karakas të shtunën.

Trumpi njoftoi më herët se SHBA-ja kreu sulme kundër Venezuelës dhe se e kapi Maduron dhe bashkëshorten e tij.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump në mbështetje të veprimeve të tij kundër “regjimit narko-terrorist” të Venezuelës.

“Presidenti Trump qëndroi pranë popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu shtetit narko të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se Kosova e “kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane; çlirimi ynë është një dëshmi e saj”.

SHBA-ja është ndër mbështetesit dhe aleatët kryesorë të Kosovës. Ajo e ndihmoi vendin të çlirohet nga regjimi serb më 1999 dhe ta shpallë pavarësinë më vonë në vitin 2008.

“Në këtë çast kur SHBA-ja po përballet me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta forcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur është i bashkuar pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta”, shtoi Osmani.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosovës e mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë.

“Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, shkroi Kurti në Facebook.

“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, tha ai. /REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›