E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova një hap larg historisë

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Pas fitores së ndeshjes play-off përballë Sllovakisë, Kosova tashmë është vetëm një hap larg një arritjeje historike dhe ëndrra e Botërorit është më pranë se kurrë.

Këtë fakt e thekson edhe kapiteni i “Dardanëve” Vedat Muriqi, i cili beson se me njohjen e pikave të dobta të Turqisë, por edhe me mbështetjen e tifozerisë së zjarrtë vendase, Kosova mund ta bëjë historinë të martën e ardhshme.

Në një video të publikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, sulmuesi Muriqi ka falënderuar tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme pas fitores spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë, duke theksuar se skuadra është shumë pranë realizimit të një ëndrre historike.

Muriqi u shpreh se fitorja do të festohet, por theksoi se objektivi kryesor ende nuk është arritur: “Na ka mbetur edhe një hap i vogël për të arritur Kupën e Botës dhe për të shkruar histori. Është kulmi për çdo lojtar që përfaqëson shtetin e vet, të arrijë në një Botëror. Shpresoj ta realizoj këtë qëllim, që e kam edhe personal. Pastaj të japim lumturi për njerëzit anembanë Kosovës”.

Muriqi vlerësoi rolin e tifozëve në Bratislavë, duke theksuar se atmosfera në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë një faktor vendimtar në ndeshjen e radhës.

Duke folur për sfidën vendimtare ndaj Turqisë, Muriqi shprehu respekt për kundërshtarin, por edhe besimin e plotë te skuadra e tij: “I dimë cilësitë e Turqisë. Është një ekip më i mirë se Sllovakia, por i njohim edhe pikat e dobëta të tyre. Do të japim maksimumin dhe me përkrahjen e tifozëve besoj se gjithçka do të jetë pak më e lehtë”.

Ndërkohë, fitorja e Kosovës përballë Sllovakisë ka gjetur jehonë edhe në mediet spanjolle.

Gazeta e madhe sportive spanjolle “Marca” i ka kushtuar një artikull të veçantë Kombëtares së Kosovës, duke e cilësuar si një nga surprizat më të bukura të këtyre kualifikimeve për Kupën e Botës. Sipas kësaj medieje, rrugëtimi i “Dardanëve” përbën një histori të jashtëzakonshme në futbollin ndërkombëtar.

Në artikull theksohet se Kosova, e cila u pranua në FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, tashmë është shumë pranë një arritjeje historike. “Pavarësisht se është një nga vendet më të reja në botë dhe nuk njihet nga shumë shtete, ajo synon kualifikimin e parë në një Botëror”, shkruan gazeta spanjolle.

Më tej, “Marca” nënvizon se Kosova do të luajë në finalen e “play-off”-it kundër Turqisë, ku fituesi siguron pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Media spanjolle rikujton se Kosova ka marrë pjesë në ciklet kualifikuese për Botërorët 2018 dhe 2022, ndërsa tani, në më pak se një dekadë nga debutimi ndërkombëtar, është vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre që do ta fuste në histori.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›