Kosova nuk gjen qetësi/ Sërish të shtëna me armë në një lokal, humb jetën 39-vjeçari

Një 39-vjeçar ka mbetur i vdekur dhe tre persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një lokal nate në Kosovë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, në fshatin Runikë në Skënderaj.
Sipas policisë nga hetimet paraprake dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e lokalit, kanë qëlluar me armë dhe janë larguar në drejtim të paditur. Në cilësinë e provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.
Tre personat e plagosur u dërguan për trajtim mjekësor, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Kjo është ngjarja e tretë brenda një kohe të shkurtër në Kosovë, ku të shtëna me armë zjarri brenda ambienteve të lokaleve shënojnë viktima dhe të plagosur.
Vetëm tre ditë më parë, një i ri u vra brenda një lokali në Klinë. Po ashtu edhe në 5 gusht një 39-vjeçar mbeti vdekur si pasojë e plumbave në qendër të Prishtinës.
Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur edhe 21 persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtat ambiente, disa me arme zjarri e disa të tjerë prej gotave dhe xhamave të thyer.