E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kosova s’do të jetë më e njëjtë pas këtij vendimi”! Zhgënjim dhe tensione, si u prit nga mbështetësit aktgjykimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së

RTSH ka ndjekur nga afër në Hagë procesin e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke sjellë për publikun shqiptar të gjitha zhvillimet dhe reagimet përmes gazetares Jonida Omeri.

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u prit me zhgënjim të thellë nga mbështetësit e tyre të pranishëm në Hagë.

Qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora kishin mbërritur në Hagë që një ditë më parë për të ndjekur nga afër shpalljen e aktgjykimit. Pas vendimit, atmosfera jashtë gjykatës u tensionua, ndërsa mbështetësit reaguan me zemërim dhe zhgënjim.

Gjykata Speciale dënoi katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim. Vendimi shkaktoi reagime të forta në mesin e mbështetësve, të cilët e konsideruan atë të padrejtë dhe të papranueshëm.

“Kosova nuk do të jetë më e njëjtë pas këtij vendimi”, ishte një prej qëndrimeve të shprehura nga analistë dhe mbështetës të intervistuar nga RTSH në Hagë.

Në anën tjetër, pranë institucioneve të drejtësisë në Prishtinë, mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së nisën protestat, ndërsa në Hagë vëmendja u përqendrua te reagimet e familjarëve dhe mbështetësve.

Gazetarja e RTSH-së, Jonida Omeri, raportoi nga Haga gjatë gjithë ditës, duke përcjellë momentet kryesore të shpalljes së vendimit, reagimet e familjarëve, mbështetësve dhe zhvillimet jashtë sallës së gjyqit.

Pas shpalljes së dënimeve, familjarët që ndodheshin në sallën e gjyqit u larguan të prekur emocionalisht. Ata kanë kundërshtuar akuzat ndaj të afërmve të tyre dhe kanë deklaruar se nuk pajtohen me konstatimet e gjykatës.

Ndërkohë, në mesin e mbështetësve pati edhe pretendime se vendimi i Hagës, sipas tyre, nuk e ka dëmtuar vetëm Kosovën, por i ka shërbyer narrativës së Serbisë. Këto ishin reagime të mbështetësve pas shpalljes së aktgjykimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›