Kosova vendos sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

PRISHTINË, 19 shtator /ATSH/ Qeveria në detyrë e Kosovë në mbledhjen e sotme ashpërsoi sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në përputhje me vendimet e BE-së dhe ShBA-së.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky vendim vjen si pjesë e angazhimit të Kosovës për të mbështetur Ukrainën dhe për të harmonizuar politikat me partnerët ndërkombëtarë.
“Për të mbështetur kundërshtimin e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, në përputhje me masat dhe sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e pakos së 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse si dhe masave shtesë përkatëse. Më 16 dhjetor 2024, Këshilli i BE-së miratoi pakon e 15 të sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Kjo pako përfshin masa kufizuese ekonomike dhe individuale me qëllim të kufizimit e mëtejmë të aftësisë së Rusisë për të zhvilluar luftën e saj të paligjshme, të paprovokuar dhe pa justifikuar të agresionit kundër Ukrainës”, tha ai.
Pakoja e 15-të e masave, e miratuar në dhjetor 2024, përfshinte ngrirje pasurish dhe ndalime udhëtimi për 54 individë dhe 30 entitete, si dhe kufizime të reja ndaj të ashtuquajturës anijes ruse në hije, me 52 anije të listuara, si dhe ndalime të eksportit për teknologji me përdorim të dyfishtë.
Kurse, tek pakoja e 16-të e masave, e miratuar në shkurt të vitit 2025, janë shtuar 48 individë dhe 35 entitete në listën e zezë, si dhe ndalohet importi i aluminit nga Rusia dhe shënjestroi edhe 74 anije të tjera, duke e çuar totalin në 153.
Masa shtesë prekën sektorin energjetik, transitin dhe shërbimet që ndihmojnë shmangien e sanksioneve, ndërsa sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe territoreve të pushtuara u harmonizuan me ato ndaj Rusisë.
BE miratoi paketën e 17-të në maj, duke u fokusuar te kërcënimet hibride si, dezinformimi dhe sulmet kibernetike.
U vendosën kufizime për mediat shtetërore ruse në territorin e BE-së, u shtuan ndalesat për mallra dhe teknologji ushtarake, si dhe u shënjestruan individë e kompani që ndihmonin Moskën t’ shmangte sanksionet ekzistuese.
Pakoja e 18-të u miratua në korrik dhe ajo përfshiu masa të forta ekonomike.
Lexo po ashtuSot Dita Ndërkombëtare e Personave të ZhdukurMe ketë pako u ul çmimi i kufirit për naftën bruto ruse nga 60 dollarë në 47,60 dollarë për fuçi, me rishikime çdo gjashtë muaj. BE-ja vendosi gjithashtu ndalime për transaksione që lidhen me tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, bllokoi importet e produkteve të rafinuara nga nafta ruse në vende të treta dhe zgjeroi listën e anijeve të flotës në hije.
Paketës iu shtuan masa të gjera financiare dhe ndalime të reja për eksportin e teknologjive strategjike.
Kosova u rreshtua përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, duke i vënë sanksione Moskës.
Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua mori jetën mbi 10.000 civilëve në Ukrainë. Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.
/Kosovapress/