Kosova voton sot për Parlamentin e ri
Pas dhjetë ditësh fushate të ngjeshur me kritika e akuza dhe shpalosje të programeve partiake, 29 subjekte politike, nga të cilat 8 të pakicës serbe, kanë hyrë në heshtjen zgjedhore, që do të zgjasë deri në mbylljen e vendvotimeve, në orën 19.00 të ditës së sotme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se janë 1 milion e 600 mijë qytetarë në Kosovë me të drejtë vote, nga të cilët mbi 73 mijë janë votues të rinj. Zyrtarë të KQZ-së thonë se janë kryer të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe pranimin e materialit zgjedhor. Sot në gjithë Kosovën janë hapur 746 qendra votimi me 2280 vendvotime, në mesin e të cilave edhe 14 qendra të votimit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. KQZ-ja thotë se për Veriun ka planifikuar dy lloje të operacioneve, përfshirë edhe atë të vendvotimeve të lëvizshme në rast të moslejimit të hapjes së qendrave zyrtare. Autoritetet e sigurisë në vend kanë deklaruar se kanë shtuar masat e sigurisë në prag të zgjedhjeve për të mundësuar mbarëvajtjen e tyre. Policia e Kosovës thuhet se do të jetë përgjegjëse për sigurinë, por ajo do të ndihmohet nga Misioni Europian për Rendin dhe Ligjin, dhe në rast të veçantë, edhe nga forcat paqeruajtëse të NATO-s. Zgjedhjet e 12 dhjetorit vëzhgohen nga më shumë se 32 mijë vëzhgues, nga të cilët afro 500 janë vëzhgues ndërkombëtarë. Përveç një misioni të Rrjetit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO), edhe një delegacion i Parlamentit Europian do të vëzhgojë nga afër zgjedhjet e së dielës.
Kuvendi i Kosovës numëron 120 vende, nga të cilat 20 janë të ndara për pakicën serbe dhe pakicat e tjera.
Arbër Vllahiu
BBC, Prishtinë