Kosovë – KQZ ndryshon rregulloren për regjistrimin dhe votimin nga diaspora

PRISHTINË, 5 qershor /ATSH/ – Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë ka miratuar plotësim-ndryshimin e Rregullores Zgjedhore sa i përket regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.
Ndryshimi i parë ka të bëjnë mbi regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, ku të njëjtit tani e tutje duhet që regjistrimin ta bëjnë me fotografi në kohë reale përmes platformës së KQZ-së.
Ndryshimi tjetër ka të bëjë me dërgimin e fletëvotimit përmes postës te secili mërgimtar që regjistrohen për të votuar dhe jo shkarkimi i tyre përmes platformës elektronike.
Megjithëse këto ndryshime u thanë se përmbajnë kosto më të lartë buxhetore, u theksua se e njëjta do të rrisë integritetin e procesit zgjedhor.
Kjo rregullore do të vlejë edhe për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare kurdo që ato do të mbahen, raporton KosovaPress.
Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, tha se nevoja e plotësim-ndryshimit të kësaj rregulloreje është ngritur si pasojë e dilemave në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor jashtë vendit në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Këtë rregullore e mirëpriti edhe anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, pavarësisht se kjo do të ketë një kosto më të lartë buxhetore.
Pavarësisht kostos së kësaj rregullore, nevojën e miratimit të saj e theksoi anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.
Edhe anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Samiti Hamiti, tha se kjo rregullore do të rritë integritetin e procesit zgjedhor.
Dilema për zbatimin e kësaj rregullore nga ana e sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor, ngriti kryetari i këtij institucioni Kreshnik Radoniqi, i cili edhe abstenoi në votimin e saj.
Besnik Buzhala nga Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor, tha se atyre iu mbetet implementimi i kësaj rregulloreje.
/Kosovapress/