Kosovë – Letra e BE për takimet jashtë Kryeministrisë, zëdhënësi i qeverisë: Asgjë e jashtëzakonshme!

Albin Kurti është kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës dhe Kryeministria është vendi i tij i punës.
Kjo ishte përgjigja që zëdhënësi i qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, i dha interesit të medieve të vendit në lidhje me vendimin e Bashkimit Evropian për pezullimin e mbajtjes së takimeve me Kurtin dhe ministrat e kabinetit të tij brenda ndërtesës së ekzekutivit të Bashkimit Evropian, derisa të krijohet një qeveri me mandat të plotë.
“Kushdo që kërkon takim me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës duhet të vijë në vendin ku punon kryeministri. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk mund të zhvillohen takime pune edhe jashtë zyrës së tij, por për këtë duhet të ketë dakordim të palëve. Takime jashtë mjediseve të Kryeministrisë kanë ndodhur edhe në të kaluarën, edhe kur ai ka qenë me mandat të plotë,” shpjegoi Kryeziu për mediet.
Një ditë më parë, mediet lokale publikuan një letër që mban datën 8 gusht, ku ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, informon Kurtin se vendimin për pezullimin e takimeve jashtë godinës kryeministrore, BE e ka marrë pas “aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës të datës 25 qershor”, në të cilin shpallet i pavlefshëm një udhëzim administrativ i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Gjykata Supreme e vendit argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
“Në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të shmangin, përkohësisht, mbajtjen e takimeve me kryeministrin dhe ministrat në detyrë brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të vijë një qeveri me mandat të plotë,” shkruhet në letër.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/