E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, dështim serial i Kuvendit, tre kandidatë të “Vetëvendosjes” nuk sigurojnë dot shumicën e votave

Në vazhdimin e seancës konstituive paraditen e kësaj të diele, kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetarë Kuvendi, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha, nuk arritën të sigurojnë votat për t’u zgjedhur në këtë post.

Partia e parë propozoi sërish deputetin Hekuran Murati, por për herë të dytë brenda javës, ai nuk arriti të merrte 61 votat e nevojshme. E pas dështimit të kandidaturës së tij, Vetëvendosje tentoi duke futur në garë Arbërie Nagavcin, e pas saj edhe deputetin Dimal Basha.

Pas seancës, kandidatët bënë përgjegjëse opozitën për dështimet e njëpasnjëshme.

“Iu hoq peta lakrorit dhe u dëshmua që për më shumë se katër muaj tash kjo opozitë po e mban Kuvendin të bllokuar”, tha Hekuran Murati, Deputet i VV-së.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka interes për të konstituar Kuvendin, por synon të vazhdojë krizën.

“Në momentin kur e vendosën – normalisht, pa konsultim – kryetari i grupit tonë parlamentar kërkoi një pauzë 10-minutëshe, në mënyrë që të merremi vesh për votim, por edhe këtë herë, kërkesa jonë u injorua. Ne u munduam ta kemi mirëkuptimin e kryesuesit të seancës, por ai refuzoi një gjë të tillë, e cila do të mund të ishte mundësia më e mirë për të votuar për kryetarin e Kuvendit të Kosovës” ,shprehet Memli Krasniqi – Kreu i PDK-së

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi sjelljen e Vetëvendosjes në seancën konstituive, duke e quajtur përçmim ndaj qytetarëve. Ai shtoi se LDK-ja nuk ka votë për asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa marrëveshje paraprake mes subjekteve politike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›