E Diel, 1 Nëntor 2026

Kozeli: Ndërtohet aks i ri me gjatësi minimale 1,3 kilometra

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se aksi i ri që do të ndërtohet për të zgjidhur situatën e krijuar në aksin kombëtar Librazhd-Përrenjas, pas rrëshqitjes masive të dheut që preku trupin e rrugës dhe një urë në këtë segment, do të jetë me një gjatësi minimale prej 1,3 kilometrash.

Ai shtoi se, nuk mund të përcaktohet një afat konkret kohor për përfundimin e punimeve, por ARRSH është në mobilizim total për zgjidhjen e shpejtë dhe të sigurt të këtij segmenti rrugor.

Drejtori i ARRSH-së u përgjigj edhe lidhur me akuzat se erozioni kishte ndodhur për shkak të marrjes së inerteve nga lumi Shkumbin, duke theksuar se Inspektorati Kombëtar i Mjedisit ka verifikuar të gjithë dokumentacionin dhe nuk ka konstatuar asnjë shkelje nga kontraktori përgjegjës për punimet.

Kozeli shtoi se në këtë zonë erozioni ka qenë një fenomen i vazhdueshëm gjatë viteve.

Ai rikujtoi se në vitin 2015 distanca midis trupit lumor dhe shinave të trenit ishte 35 metra, ndërsa në vitin 2023 kjo distancë kishte zbritur në 17 metra.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›