Kozeli: Ritme të larta punimesh në aksin Elbasan-Papër, progresi fizik ka arritur 68%

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli inspektoi nga afër ecurinë e punimeve në aksin rrugor Elbasan-Papër, një projekt i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe qarkullimit në zonë.
Sipas Kozelit, punimet në lotin 1 po vijojnë me ritme të mira dhe progresi fizik ka arritur rreth 68%.
Segmenti me gjatësi 9,9 kilometra është i ndarë në tri faza dhe nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik, lidhet me bajpasin e Elbasanit dhe përfundon pranë kryqëzimit të Cërrikut, në afërsi të fshatit Valas.
Gjatë inspektimit u bë e ditur se hapja e trasesë ka përfunduar në të tri fazat e projektit, ndërsa aktualisht po vijon vendosja e trarëve në urat e segmentit.
Po ashtu, punimet për mbrojtjen lumore janë drejt përfundimit, ndërkohë që paralelisht po ndërtohen edhe veprat e vogla të artit.
Ky aks rrugor, i cili shtrihet përgjatë luginës së lumit Shkumbin, pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin rrugor dhe lidhjen mes zonave përreth, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe transportin në këtë korridor të rëndësishëm.
Punimet në aksin Elbasan-Paper 1 nga 8/a.f/r.e/