Krah përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare dhe Vjosa Osmanit, Presidenti Begaj homazhe për Papa Franceskun

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kreu sot homazhe pranë trupit të Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në një ceremoni ku marrin pjesë drejtues shtetesh, klerikë dhe besimtarë nga e gjithë bota.
Gjatë homazheve për Atin e Shenjtë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shoqërohej nga katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare, atij mysliman, ortodoks, katolik dhe bektashi, një dëshmi e vëllazërisë mes besimeve dhe tolerancës fetare, të cilën Papa Françesku e ka çmuar edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Në ceremoninë e nderimit të Papa Françeskut, krah Presidentit të Republikës ishin Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kardinali Ernest Simoni, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Gent Kruja, e të tjerë.
Radhët e gjata e turmat e mëdha të pelegrinëve nuk munguan as këtë të Premte në Sheshin Shën Pjetër të Vatikanit, në ditën e 3-të dhe të fundit të homazheve pranë trupit të Papa Françeskut.
Që prej të Mërkurës kur nisën homazhet deri mëngjesin e kësaj të Premteje, mbi 150 mijë njerëz janë përllogaritur të kenë kaluar pranë trupit të Papa Françeskut për homazhe, një shifer e konsiderueshme.
Homazhet e kësaj të Premteje do të vijojnë deri në orën 19:00. Më pas trupi do të përgatitet për ceremoninë e varrimit të nis në orën 10:00 të së Shtunës, ku marrin pjesë krerë shtetesh nga e gjithë bota.