Krasniqi prezanton regjistrin e transparencës të pronësisë së medias

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë në konferencën e 11-të Rajonale të Medias në Europën Juglindore (SEEMC) “Forcimi i gazetarisë si një e mirë publike”, organizuar nga OSBE.
Krasniqi ishte pjesë e panelit “Transparenca e pronësisë së medias në praktikë: Një analizë krahasuese rajonale”, së bashku me Olaf Steenfadt, themelues dhe drejtor i Regjistrit Global të Medias (Global Media Registry), Leunora Kaliqi, presidente e Bordit të Këshillit të etikës së medias në Maqedoninë e Veriut, nën moderimin e Marius Dragomir, drejtor i Qendrës Kërkimore të Medias dhe Gazetarisë.
Kryetarja e AMA-s prezantoi regjistrin e transparencës së pronësisë së medias audiovizive, një bazë të dhënash e plotë dhe e detajuar deri në përfituesit fundor, që AMA e ka hartuar dhe e ka të publikuar në faqe.
Gjithashtu Krasniqi prezantoi edhe ndryshimet ligjore përkatëse të bëra në janar të këtij viti, si dhe të dhëna të tjera që AMA publikon në Buletinin Periodik dhe ku përfshihen edhe investimet e subjekteve mediatikë në fusha të tjera të biznesit.
Prezantimet e anëtarëve të tjerë të panelit, çështjet dhe diskutimet e ngritura ishin me interes jo vetëm për shkëmbimin eksperiencash, por edhe si ura të reja bashkëpunimi të lidhura dhe me përfitime në të ardhmen.
/k.s/j.p/r.e/