Kreditimi i sektorit bujqësor, Sejko: Bujqësia performancën më të dobët ndër sektorët madhorë! Malaj: Vizioni i qeverisë është që bujqësia të bëhet më konkurruese

Ditën e sotme, Banka e Shqipërisë ka organizuar tryezën e diskutimit mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 mln euro do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm dhe inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.
Të pranishëm ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, ministri i Financave Petrit Malaj si dhe kreu i qeverisë Edi Rama.
Sejko tha se kreditimi i sektorit të bujqësisë mbart risqe, por shtoi se ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë të vendit.
Sejko: Trendet e zhvillimit nuk janë uniforme. Sektori bujqësor ka performacën më të dobët ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare. Ecuria e saj diktohet nga disa probleme strukturore, si fragmetizimi i tokës, niveli i ulët të mekanizimit dhe integrimin e pakët horizontal dhe veritikal, midis fermerëve, tregut dhe sektorëve të ekonomisë. Në të njëjtin plan, kredia në sektorin privat përbën më ka se 2% të kredisë bankare për bizneset.
Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar, ecuria ende larg dëshirës dhe nevojave që sektori bankar ka për kredi, pasqyron si realitetin e rrezikut që mbart krediti i këtij sektori, po ashtu edhe kostot e larta të kreditimit. Megjithatë, studimi ka treguar se kreditimi i sektorit bujqësor ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë të vendit.
Ministrja Denaj, nga ana tjetër, tha se biznesi në sektorin e bujqësisë ka arritur rezultate domethënëse në vitet e fundit. Eksportet janë rritur me 10.5%. Denaj bëri me dije se fondi i sigurisë do të fokusohet në 5 fusha kryesore.
Denaj: Hap cilësor në zhvillimin e një sektori shumë të rëndësishëm. Biznesi në sektorin e bujqësisë ka arritur rezultatet domethënësë në vitet e fundit. Eksportet janë rritur me 10.5 % dhe 11% në vlerë në 10 vitet e fundit. Vetëm në vitin e shkuar kemi një rritje me 21% nga viti 2023 kryesisht me vendet e BE, duke synuar jo vetëm tregje elitare, por përtej këtyre tregjeve numrin e konsiderueshëm në 83 tregje që sot produktet shqiptare tregtohen. Rritja e strukturave akomoduese në agroturizëm, duke nxitur jo vetëm punësim por edhe rivitalizimin e këtyre zonave. Një agroturizëm sot angazhon 22 familje, kjo falë punës dhe mbështetjes së qeverisë.
Zhvillimi bujqësor ka ende disa problematika, dy prej të cilave më të theksuara. Si në aspektin e fragmentizimit dhe formalizimi në zinxhir vlere ashtu dhe në mundësi më të mëdha në mbështejte me aksesin financave. Mungesa e likuiditeteve dhe kolateraleve është një problem i cili është i njohur dhe ka limituar rritjen e sektorit bankar në kreditim dhe zgjerim të mbështetjes së bizneseve në këtë sektor. Garancia sovrave mendohet që të mbulojë me 70% principalin e kredive që janë në dispozicion të bankave për institucionet financiare. Fondi i garancisë parashikohet të fokusohet në 5 fusha kryesore; sigurimin në vijueshmëri të prodhimit bujqësor dhe blegtoral duke mbështetur ndërtimin e më shumë sipërfaqeve me serra, investimeve që nxisin mekanizim dhe inovacion, investimeqë nxisin prodhimin agro-ushqimor, investime në infrastrukturën agro-turistike.
Ministri Malaj tha se nga zbatimi i kësaj strategjie presin mbështetje financiare dhe akses në financa të sektorit bujqësor.
Malaj: Përmes kredive të buta, me një fond prej 250 mln euro mbështetja do të fokusohet në sektore siç janë infrastruktura përpunuese dhe agro përpunimi, për blegtorinë. Gjithashtu mbështetje do të ofrohet edhe për peshkimin dhe akuakulturën. Ajo çfarë presim nga zbatimi i kësaj strategjie është mbështetja financiare dhe aksesi në financa i sektorit bujqësor, përmirësimi i kushteve të financimit duke ofruar norma të ulëta interesi dhe reduktimi i kërkesave për kolateral. Vizioni i qeverisë është që bujqësia të bëhet më konkurrues, të jetë më moderne dhe të jetë një sektor i orientuar drejt eksportit./vizionplus.tv