E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kremtohet sot dita e Shën Kozmait, pelegrinazh në Manastirin në Kolkondas

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot ditën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët të cilit i janë kushtuar më shumë kisha e manastire në mbarë vendin. Më i rëndësishmi është Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit, i ndërtuar me kontributin e Ali Pashë Tepelenës, më 12 maj 1814.

Ky manastir ka mbledhur sot besimtarë të shumtë, si vend pelegrinazhi jo vetëm për banorët e Fierit dhe zonave përreth, por edhe nga vende të tjera.

Festa zakonisht nis mbrëmjen e 23 gushtit dhe kulmon ditën e sotme. Më të devotshmit, e kalojnë natën në Kolkondas, me shpresë në ndihmën e shenjtit Kozma.

Mëngjesin e sotëm festimeve iu bashkua dhe kryepeshkopi Joani, i cili drejtoi meshën e rastit. Nga manastiri i Shën Kozmait, Kryepeshkopi Joan përcolli urimet e përzemërta për të gjithë besimtarët.

“Mesazhi im kryesor është që shenjtorët e mëdhenj ne kemi nevojë t’i imitojmë, jo vetëm thjesht t’i admirojmë. Ne vijmë t’i kujtojmë ata, dhe sakrificën e tyre, pasi pa sakrificë nuk përhapet drita”,  tha Fortlumturia e Tij, Joani.

Manastiri është ngritur përbri lumit Seman. Dy letra të Ali Pashë Tepelenës drejtuar të krishterëve të Nahijes së Beratit dhe një mbishkrim i gdhendur mbi një pllake guri në apsidën e kishës dëshmojne për kontributin Pashait të Janinës në ngritjen e manastirit.

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, manastiri u braktis dhe ato pak pjesë të konakëve, që kishin mbijetuar pas përmbytjes që manastiri pësoi nga vërshimi i lumit Seman në fillim të shek. XX, u shkatërruan në vitin 1986.

Mbas punimeve të restaurimit të kishës dhe të plotësimit, restaurimit dhe rindertimit të konakëve me shumë vlerë për tipologjinë e kësaj gjinie, të kryera nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, manastiri rifitoi vlerat e vërteta dhe është kthyer në një qendër pelegrinazhi me veprimtari të dendur fetare e kulturore.

1 nga 9

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›