E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Kuvendit, Peleshi, pritet nga Presidenti i Letonisë: Mbështetje për integrimin dhe bashkëpunim euroatlantik

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vijoi turin e diplomacisë parlamentare në vendet baltike me një vizitë zyrtare në Letoni, ku u prit nga Presidenti i vendit, Edgars Rinkēvičs.

Takimi u fokusua tek marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, të ndërtuara mbi besimin, solidaritetin dhe vizionin e përbashkët europian e euroatlantik. 

Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Letonia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 “Zgjerimi i BE-së është një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e Europës,” u shpreh ai, duke theksuar bindjen e përbashkët për rëndësinë e këtij procesi. 

Në bisedën me Presidentin Rinkēvičs, u trajtuan gjithashtu çështje të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, përgatitjet për samitin e vitit 2027 që do të mbahet në Tiranë, mbështetja e palëkundur për Ukrainën, si dhe vullneti i përbashkët për të përballuar sfidat e sigurisë që po kalon Europa. 

Më herët gjatë vizitës, Peleshi u prit nga kryetarja e Komisionit për Çështjet e Jashtme të Parlamentit të Letonisë, Inara Murniece, si dhe nga kryetari i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian, Edmunds Cepurītis. 

Në këto takime, në fokus ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, mbështetja parlamentare dhe publike në shtetet anëtare, si dhe forcimi i diplomacisë parlamentare për avancimin e mëtejshëm të zgjerimit. Peleshi vlerësoi rolin e Letonisë si një zë i rëndësishëm në mbështetje të perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

“Shqipëria mbetet e përkushtuar për të vijuar reformat dhe për të përmbushur me sukses rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian,” deklaroi ai. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›