E Martë, 3 Nëntor 2026

Krijohet Trupa e Ndërhyrjes Teknike

Për të shtuar sigurinë dhe parandaluar ngjarje me pasoja në akset rrugore kombëtare, është krijuar dhe ka nisur funksionimin Trupa e Ndërhyrjes Teknike (TNT). Ajo përbëhet nga Policia e Shtetit, Urgjenca Kombëtare dhe Shërbimi Zjarrfikës.

TNT do të jetë e lëvizshme dhe do të monitorojë akset me risk të shtuar.

Njësia e re u prezantua në Llogara, Vlorë, gjatë një takimi që ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi me drejtues të strukturave përkatëse dhe praninë e Prefektit të qarkut, Kryetarit të Bashkisë etj.

“U mundësua në kohë rekord paketa e masave për një sezon turistik të sigurt, përfshirë TNT, Trupa e Ndërhyrjes Teknike (Polici, Urgjenca, MZSH). Kjo është një zgjidhje e ofruar nga partnerët, për të garantuar ndërhyrje në kohë, urgjenca në raste incidentesh, shoqëruar nga Shërbimi Zjarrfikës dhe Policia e Shtetit”, tha Balla.

Në përgjigje të kërkesës së Drejtorit të Urgjencës Kombëtare, për nevojën për trajnime të kësaj trupe, e jo vetëm, Balla tha se, TNT që nga java e ardhshme, do t’i nënshtrohet programeve të trajnimit në Akademinë e Sigurisë.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›