E Diel, 1 Nëntor 2026

“Krijoni sa më parë qeverinë”, Osmani: Partitë politike të mos humbin kohë e të gjejnë konsensusin

Pasi mandatoi Albin Kurtin si kryeministër, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka bërë thirrje për krijimin e menjëhershëm të qeverisë.

“Sa më parë që të kemi qeveri me mandat të plotë kushtetues, aq më parë mund të shtyhen përpara reforma, mund të kemi buxhet gjithëpërfshirës, i cili e vendos shëndetin e qytetarëve tanë në radhë të parë dhe e prioritizon. Do të kemi edhe vendime të tjera të cilat shtyhen përpara nga qeveria, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe në interes të vendit. Por kur do të ndodhë kjo, siç e thash është në duart e e partive politike të cilat shpresoj shumë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe qytetarët e Kosovës në përputhje me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhjet e fundit do të keni qeveri me mandat të plotë”, tha Osmani.

Gjithçka sipas Osmanit varet nga vullneti politik i partive.

“Tani nga data që është nominuar janë 15 ditë, natyrisht që afatet rrjedhin mirëpo negociatat për koalicione bëhen vetëm ndërmjet partive politike, apo deputetëve, por janë diskutime mes partive politike në të cilat si presidente nuk do të duhej të ndërhyja. Rrjedhimisht unë nuk mund ta di se deri ku kanë arritur ato negociata potencialisht, por janë çështje për të cilat për më shumë informata mund të ju japin partitë politike të involvuara”, tha Presidentja.

Kreu i Lëvizjes Vëtëvendosje është mandatuar për kryeministër nga Presidentja Vjosa Osmani më 10 tetor për formimin e qeverisë së re, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për zgjedhjen e Kurtit dhe kabinetit qeveritar që e prezanton para Kuvendit nevojiten së paku 61 vota nga 120 deputetë që ka Parlamenti i Kosovës./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›