E Martë, 3 Nëntor 2026

Kroçera “Emerald Azzurra” në Durrës, Rama: Shqipëria, destinacion për histori dhe përjetime autentike

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Porti i Durrësit edhe këtë sezon turistik vijon të jetë një nga destinacionet e përzgjedhur nga kroçerat dhe anijet turistike.

Ditën e sotme në port ndaloi, për herë të parë, kroçera luksoze australiane “Emerald Azzurra”.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, tha se “83 turistë nga e gjithë bota zbritën në bregun tonë për të zbuluar historinë e Durrësit dhe magjinë e Krujës, teksa ky superjaht 110 metra i gjatë do të vazhdojë më pas drejt brigjeve italiane”.

Rama u shpreh se ardhja e kësaj kroçere është një tjetër dëshmi se Shqipëria nuk është më një sekret në Mesdhe, por një destinacion i dëshiruar për ata që kërkojnë shije, histori dhe përjetime autentike.

Mjeti lundrues, i gjatë 110 metra, është një superjaht modern i ndërtuar në vitin 2022, me pronësi australiane.

Turistët vizituan qytetin bregdetar të Durrësit, si dhe qendrën historike të Krujës, duke u njohur nga afër me trashëgiminë kulturore dhe atraksionet turistike të zonës.

Turizmi i kroçerave është një tregues i qartë se industria turistike shqiptare ka hyrë në një stad të ri zhvillimi, duke u kthyer në një kontribues me gravitet në ekonominë e vendit.

1 nga 4

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›