Krujë, situata nën kontroll pas 24 orë reshjesh shiu

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në territorin e bashkisë Krujë pas 24 orësh reshje shiu të pandërprera situata paraqitet nën kontroll.
Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi vuri në dukje se deri më tani nuk ka asnjë banesë të përmbytur dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa probleme.
Sipas tij, uji është i pranishëm në toka bujqësore, kryesisht në disa fshatra të Njësisë Bubq dhe Thumanë.
Kryebashkiaku Bushi tha se të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Shërbimeve Publike janë në terren dhe në gjendje gatishmërie për çdo situatë të mundshme emergjente.
Sipas parashikimeve meteorologjike 24 orët në vijim priten të jenë me reshje edhe më intensive, ndaj kujdesi do të jetë i shtuar.
Bushi i bën apel banorëve që për çdo situatë urgjente të kontaktojnë autoritetet.
/k.s/j.p