E Martë, 3 Nëntor 2026

Kryediplomatja gjermane thirrje aleatëve nga Kievi: Ukrainës i nevojitet urgjentisht një mbrojtje ajrore

“Ukraina duhet urgjentisht të forcojë mbrojtjen e saj ajrore përballë sulmeve të pamëshirshme ruse”, tha të martën (21 maj) kryediplomatja gjermane Analena Baerbok ndërsa mbërriti në Kiev në vizitën e saj të tetë në këtë vend që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022.

Vizita e Ministres së Jashtme erdhi pasi Rusia lëshoi një sërë dronësh gjatë natës në territorin ukrainas, në një sulm që la disa të plagosur në rajonin lindor të Harkivit.

“Situata në Ukrainë është përkeqësuar në mënyrë dramatike me sulmet masive ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile dhe operacionin në rajonin e Harkivit. Për t’u mbrojtur nga dronët dhe raketat ruse vendit i nevojitet urgjentisht një mbrojtje ajrore e përforcuar. Mbështetja jonë bazohet në bindjen e thellë se Ukraina do ta fitojë këtë luftë “, tha kryediplomatja gjermane.

Presidenti ukrainas Volodimyr Zelenski paralajmëroi javën e kaluar se operacioni tokësor rus i nisur këtë muaj në rajonin lindor të Harkiv mund të jetë vetëm një valë e parë dhe se trupat ruse mund të synojnë qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.  Ai u ka bërë vazhdimisht thirrje vendeve aleate që të dërgojnë të paktën shtatë sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, dy prej të cilëve për të mbrojtur rajonin e Harkivit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›