E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryegjyshi i bektashinjve merr kryesimin e Bordit të Presidencës të Këshillit Ndërfetar

TIRANË, 5 janar /ATSh/ Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) zhvilloi sot mbledhjen e parë të vitit në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Sipas njoftimit të KNFSH-së, gjatë mbledhjes, Mons. Gjergj Meta, kryetar në detyrë i KNFSH-së, i dorëzoi detyrën Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili do të kryesojë Bordin e Presidencës për periudhën 1 janar 2026 – 1 janar 2027.

Sekretari i Përgjithshëm, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, prezantoi fazën finale të Planit Strategjik të KNFSH-së për periudhën 2026-2028, i cili u miratua unanimisht. Plani ka fokus forcimin e dialogut ndërfetar, promovimin e bashkëjetesës paqësore përmes edukimit mbi vlerat universale, si dhe rritjen e rolit të të rinjve dhe grave në shoqëri.

Gjithashtu, Bordi miratoi buxhetin për vitin 2026, që do të mbështesë zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve të planifikuara sipas Planit Strategjik.

“Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe çështje aktuale shoqërore dhe roli i komuniteteve fetare në adresimin e sfidave sociale, edukative dhe kulturore. Vendimet e marra u firmosën dhe u konfirmua angazhimi i KNFSH-së për dialog, harmoni dhe bashkëjetesë ndërfetare në vend”, citon njoftimi i KNFSH-së. e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›