Kryeministri Berisha në Maliq: Punësimi do të jetë kryefjala e katër viteve që vijnë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë të Maliqit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Maliqit,
Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe që takohemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi sot së bashku pas një udhëtimi katër vjeçar, në të cilin ne bashkërisht ia kemi dalë të realizojmë objektiva të mëdha.
Ne ia dolëm të dyfishojmë rroga e pensione, rrogat e mësuesve të fëmijëve tanë, rrogat e infermierëve dhe të mjekëve tanë, si dhe të dyfishojmë pensionet për të gjithë fermerët shqiptarë. Ne së bashku ia dolëm të investojmë në infrastrukturën e këtij vendi, në rrugë, në ura, në ujësjellës, në kanalizime, në shkolla dhe në qendra shëndetësore, dhjetëra herë më shumë se në katër vite më parë. Ne ia dolëm të investojmë në fshatrat e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë mbi 1.6 miliardë dollarë dhe ia dolëm të bëhemi baza për Maliqin, për Korçën, për Shqipërinë evropiane. Në rrethin e Korçës qeveria ka investuar me qindra milionë euro në rrugë kombëtare dhe rrugë dytësore, në unazën e qytetit dhe në rrugët e qytetit, në shkolla, në ujësjellës dhe kanalizime.
Unë kam ardhur tek ju sot për t’u zotuar se brenda vitit 2010 Korça do të jetë e para që do të ketë një infrastrukturë një qind për qind të re. Gjithashtu, dua t’ju siguroj se do të furnizojmë me ujë të pijshëm 24 orë të gjitha familjet. Në këtë qark dhe në mbarë Shqipërinë, pensionistët në fshat do të paguhen njësoj sa pensionistët në qytet, në tërësi ata do të paguhen më shumë se pensionistët e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. E nisa me pensionistët, sepse shpërblimi ndaj mundit , djersës dhe lumenjve të tërë të sakrificës së tyre është shumë i madh. Katër vite më parë unë ju premtova se do të dyfishoj pensionet. Ishin të shumtë ata që reaguan me qesëndi ndaj premtimit tim, por sot ai premtim është realitet.
Qytetarë të Maliqit,
Punësimi është dhe do të mbetet qëllimi im më madhor për ju dhe do të jetë kryefjala e katër viteve që vijnë. Punësimi i qytetarëve të Maliqit dhe të mbarë Shqipërisë do të bazohet në qindra e qindra projekte të veprave publike, në miliarda euro investime dhe në koncesionet e mëdha, në parqe industriale dhe në biznes. Unë ju premtoj ju dhe kryetarit të Bashkisë tuaj se do të financoj çdo projekt që do të ndryshojë për mirë jetë tuaj. Unë nuk di t’i dalloj kurrë të zgjedhurit lokalë, sepse ata janë qeveritarët tuaj, por punoj bashkë me ta për të zgjidhur hallet.
Qytetarë të Maliqit,
Projekti i dytë i madh për Maliqin dhe Korçën është autostrada Qafë Plloçë - Qukës, e cila do të përfundojnë në fund të vitit 2010. Ju, por edhe të gjithë shqiptarët do ta kenë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës. Ju do të mbërrini në kryeqytet në një kohë dy herë më shkurtër se sa tani. Përveç kësaj, do të jetë edhe autostrada e re Elbasan – Tiranë.
Qytetarë të Maliqit,
Këto katër vite ndryshimi është shumë i madh, por këto katër vite nuk është se na i kanë hequr hallet tona. Jo! Ato janë një akumulim shumë i rëndë dhe ju e dini vetë se ku e nisëm ne shqiptarët rrugën e demokracisë. Sot dua të bëj një thirrje. I dëgjoj zëdhënësit e Edi Ramës, të cilët pasi janë zhytur dhe presin milionat e korrupsionit, që deklarojnë se Korça është sot më e varfër se kurrë në 100 vitet e fundit. Ata deklarojnë se nuk janë rritur pensionet, deklarojnë se rrogat e mësuesve nuk janë dyfishuar, deklarojnë se rrugët komunave të Korçës nuk janë asfaltuar, deklarojnë se prodhimi i fermerëve korçarë nuk është rritur. Nuk do të ndalesha në këto deklarata po të mos i konsideroja ato si ofendim publik për qytetarët e Korçës, për fermerët e Korçës, si dhe për fermerët mbarë shqiptarë. Por, le ta lëmë Edi Ramën në dëshpërimin e tij. Le ta lëmë Edi Ramën në standardin e tij. Ai ka vendosur një standard unik në historinë e demokracisë evropiane. Për herë të parë një kryetar i një partie kryesore nuk guxon të vendosë emrin e tij në krye të listës, duke ofenduar dhe lënduar në mënyrë të papranueshme, para së gjithash socialistet shqiptarë, të cilët janë një shtyllë e pluralizmit në këtë vend. Por, ai ka ofenduar dhe ka lënduar edhe demokracinë shqiptare, me këtë standard të tij të përçudnuar.
Ndaj, unë sot do t’u bëjë thirrje pensioneve të Maliqit, të rinjve të Maliqit, qytetarëve të Maliqit, fermerëve të kësaj zone, demokratë dhe socialistë, çfarëdo që ju jeni, të bashkoheni në projektin e Shqipërisë evropianë, të Maliqit evropian, të Korçës evropiane. Ky projekt është projekt ëndërr. Dy ëndrra kishim ne; anëtarësimin në NATO, të cilën e realizuam Le të bashkohemi të gjithë për të realizuar ëndrrën e dytë: Shqipëria evropiane. Shqipëria evropiane na kërkon të gjithëve së bashku. Shqipëria evropiane duhet të jetë fati i çdo shqiptari. Shqipëria evropiane është Shqipëria e qytetarit që ecën në rrugë evropiane, që shkollohet në shkolla evropiane, që paguhet me paga evropiane, që arsimohet në universitete evropiane, që furnizohet më ujë të pijshëm njësoj si qytetarët e Evropës. Ndaj, atë duhet ta gëzojnë të gjithë shqiptarët. Le të bashkohemi dhe të shkojmë në këto zgjedhje.
28 qershori është dita në të cilën ne votojmë për të ardhmen tonë evropiane, ne votojmë për Maliqin evropian, për Korçën evropiane dhe për Shqipërinë evropiane. Unë ju bëj thirrje vëllazërore që edhe këto ditë që kanë mbetur të merrni të gjithë letërnjoftimet e reja, sepse me ato letërnjoftime që të gjithë ne barazohemi me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës. Më 28 qershor votoni 10-ën, 10-a është më e mira, 10- jeni ju, 10- është e vërteta, 10-a është Partia Demokratike, 10-a është Shqipëria evropiane.
Rroftë Maliqi!
Rroftë Korça!
Rroftë Shqipëria!”
12/06/2009