Kryeministri Berisha përuron shërbimet m-Tax dhe e-Pagesa, në Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve

Shërbimi m-Tax, taksat nga celulari, është aplikacioni i parë qeveritar për platformat celulare Apple (iPhone, iPad) dhe Android. Ndërtimi i këtij aplikacioni është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 13 milionë lekë, me anë të të cilit çdo tatimpaguesi i mundësohet të kontrollojë të gjithë situatën e tij tatimore nga telefoni celular, si dhe e ndihmon tatimpaguesin të deklarojë dhe paguajë në kohë detyrimet tatimore, pa qenë e nevojshme të paraqitet në sportelet e shërbimit të administratës. Në këtë mënyrë, reduktohen ndjeshëm kostot administrative të biznesit dhe krijohet sporteli i shërbimit Tatimor në dorën e tatimpaguesit.
Shërbimi i dytë është e-Pagesa, pagesa elektronike, është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 10 milion lekë. Sistemi i pagesës elektronike lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë për të realizuar pagesat nga biznesi, për llogari të administratës tatimore. Ky shërbim shkurton kohën që i duhet një biznesi të deklarojë dhe paguajë detyrimet tatimore, si dhe ul kostot administrative të tij, rrit transparencën dhe cilësinë e shërbimeve të administratës tatimore ndaj bizneseve.
Kryeministri Berisha u shpreh se me këto shërbime bëhet hapi i parë i madh drejt projektit të katër viteve që vijnë, projekt i cili do të konsistojë në m-Albania. “M-Albania, - tha Kryeministri, - synon t’u japë në dorë, në celularin e tyre, qytetarëve shqiptarë dhe biznesit të gjitha shërbimet e kësaj administrate, të gjithë informacionin që prodhon kjo administratë”.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që edhe doganat të adaptojnë me shpejtësi shërbimin e-Pagesa. “Unë i garantoj qytetarët se shërbimi e-Payment do të jetë një realitet i prekshëm nga të gjithë shqiptarët brenda vitit 2013”, tha Kryeministri.
“Le të kalojmë ne gradualisht tek monedha elektronike. Është padiskutim monedha më e pastër, më e sigurt, monedha më qytetare në kuptimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën për të kaluar në këtë monedhë, e cila do të çojë Shqipërinë dhe tregun në tërësi shumë më përpara”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj të përshëndes Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të përshëndes Renaldin, drejtorin e IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kompaninë që ka realizuar këto dy projekte të mrekullueshme, duke bërë sot hapin e parë të madh në drejtim të m-Albania (mobile Albania). Gjithashtu, dua të falënderoj kompaninë që ka bashkëpunuar me njësinë e IT-së së tatimeve, bankat Raiffeisen dhe Bankën Kombëtare Tregtare për gatishmërinë e tyre, si dhe kontributin në tërësi që është dhënë në transformimin rrënjësor të praktikës së pagesës së taksave nga biznesmenët shqiptarë. Sot ne pamë demonstrimin e praktikës më moderne që ekziston dhe që mund të ekzistojë aktualisht në pagesën e taksave dhe informacionin e domosdoshëm, të vazhdueshëm, të biznesmenit për detyrimet e tij, për lajmet, për ndryshimet, për kodin, për borxhin dhe gjithçka e lidh atë me sistemin tatimor të vendit.
Zonja dhe zotërinj,
Vetëm gjashtë vjet më parë Shqipëria ishte kryekëput analoge. Gjurmët e dixhitales në këtë vend ishin të mezi kapshme apo inekzistente. Pikërisht në këtë terren ne lançuam idenë e Shqipërisë dixhitale. Natyrisht, kjo ide u prit me një skepticizëm të përhapur. Kjo ide u prit me një shkallë të lartë mosbesimi. Por sot, vetëm pak vite më vonë, Shqipëria dixhitale është një realitet i padiskutueshëm. Dhe në këtë rrugë ne jo vetëm ecëm me shpejtësinë më të madhe drejt hapësirës së Shqipërisë dixhitale, por, në raste të caktuara, ne u bëmë pionierë të risive të zhvillimit të shoqërisë së informacionit apo të Shqipërisë dixhitale. Nuk është e rastit, por është e përcaktuar nga vullneti ynë i hekurt për të sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale dhe për të përdorur transparencën që sjellin procedurat dixhitale. Fakti që ne u bëmë vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100 përqind, për çka Organizata e Kombeve të Bashkuara i dha Shqipërisë një çmim të dytë, pas vendit më të zhvilluar të Evropës, Gjermanisë, dhe ky çmim i’u dha vetëm për këtë procedurë, sepse kjo dëshmonte një vullnet të hekurt të administratës dhe qeverisë shqiptare për të vendosur transparencë në të gjitha proceset. Sot Shqipëria është një nga të paktat vende që ka online thesarin e saj, të nesërmen e shpenzimit.
Shqipëria u rendit e dyta për rritjen e gatishmërisë së rrjetit, pas Vietnamit, gjatë viteve që shkuan. Shqipëria ka shënuar transformime epokale në këto pak vite. Penetrimi i telefonisë celulare është rritur nga 48 përqind në 186 përqind. Importi i internetit është rritur me 1300 herë. Penetrimi i internetit është rritur me 15 herë. Hapat tona në këtë drejtim kanë qenë të fuqishme.
Sot ne bëjmë hapin e parë të madh drejt projektit të katër viteve që vijnë, projekt i cili do të konsistojë në m-Albania. M-Albania synon t’u japë në dorë, në celularin e tyre, qytetarëve shqiptarë dhe biznesit të gjitha shërbimet e kësaj administrate, të gjithë informacionin që prodhon kjo administratë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky hap i parë bëhet me ata që janë edhe gjeneratorë kryesor të të ardhurave, janë gjeneratorë kryesore të punësimit dhe zhvillimit të vendit. Pra ky hap i parë bëhet me biznesmenë. Ky është një transformim epokal, shkurton në mënyrën më të jashtëzakonshme kohën që shpenzon biznesmeni për të paguar taksat. Dje po lexoja kërkesën e një biznesmeni, i cili më thoshte “vijmë në Drejtorinë e Tatimeve dhe e vërteta është se atje na kryejnë punë shumë shpejtë. E njëjta punonjëse vulos dhe regjistron në Protokoll. Por, kur vjen problemi i marrëdhënieve të tyre me një agjenci të një ministrie tjetër, ne duhet të presim në mënyrë të pamerituar disa ditë. Kjo për faktin se ajo vulë ndodhet në atë dikaster”. Pra, me këtë që është arritur sot është arritur koha rekord, koha më e shkurtër që mund të ekzistojë për taksapaguesin, për të paguar dhe kontrolluar taksën e tij. Për këtë keni përgëzimet më të mëdha.
Doganat janë në shqyrtim dhe është e domosdoshme që të kalojmë edhe atje në e-Payment. Pra ky sistem i pagesës të adoptohet me shpejtësi edhe nga doganat. Unë i garantoj qytetarët se shërbimi e-Payment do të jetë një realitet i prekshëm nga të gjithë shqiptarët brenda vitit 2013. Kompanitë e mëdha celulare janë angazhuara në këtë proces. Qeveria ka vullnetin që t’i mbështesë fuqimisht. Bankat i përshëndes, sepse me këtë realizim kanë dëshmuar qartë se janë të vendosura të ridimensionojnë procesin e pagesës elektronike. Le të kalojmë ne gradualisht tek monedha elektronike. Është padiskutim monedha më e pastër, më e sigurt, monedha më qytetare në kuptimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën për të kaluar në këtë monedhë, e cila do të çojë Shqipërinë dhe tregun në tërësi shumë më përpara.
Faleminderit shumë!”
25/02/2013