E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës

Kryeministri Berisha priti sot në një takim z. Yavuz Mildon, President i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Në këtë takim  kryeministri Berisha e informoi z. Mildon rreth hapave që qeveria shqiptare ka hedhur në drejtim të pavarësisë dhe fuqizimit të pushtetit vendor. Decentralizimi, u shpreh Kryeministri, përbën një nga reformat më të mëdha që ka ndërmarrë qeveria shqiptare gjatë këtyre tre vjetëve të qeverisjes së Partisë Demokratike.

Në këtë kuadër Kryeministri Berisha theksoi projektet e qeverisë në decentralizimin fiskal, në kthimin e pronave pushtetit lokal, në kalimin e ndërmarrjeve të ujësjellësve pranë autoriteteve lokale, në vendosjen e inspektoriatit të kontrollit urbanistik në varësi të njësive vendore, në modernizimin e gjendjes civile si dhe në koncentrimin e shumë mandateve të ministrive; të arsimit, të shëndetësisë, punës dhe bujqësisë në favor të administrative rajonale.

Qeveria, tha Kryeministri, ka krijuar një klimë shumë të mirë bashkëpunimi midis dy pushteteve dhe është interesuar që të gjitha reformat në adresë të decentralizimit të kalojnë me konsensus. Kryeministri theksoi se qeveria është e kënaqur me rezultatet, por ka dhe struktura të veçanta lokale sikurse është Bashkia e Tiranës, e cila nuk bëhet pjesë ende e reformave në kalimin e pronave, ujësjellës-kanalizimeve dhe përdorimit të huamarrjes publike në favor të interesave të qytetarëve.

Në këtë kontekst Kryeministri Berisha e ftoi opozitën të marrë pjesë aktive dhe të aprovojë  ligjin për taksat vendore që është paraqitur me konsensus nga qeveria në parlament.   

Nga ana tjetër, vijoi Kryeministri, qeveria shqiptare nëpërmjet politikave të saj ka arritur të rrisë ndjeshëm investimet në zonat vendore si në infrastrukturë, arsim, shërbime komunale dhe përkrahje të biznesit.
Granti i qeverisë për pushtetin vendor në krahsim me vitin 2005 është rritur rreth 3.2 herë dhe për vitin 2009 synohet të rritet deri në 4.5 herë.

Nga ana e tij z. Mildon pasi shprehu kënaqësinë për pritjen, vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në përpjekjet e Shqipërisë për demokratizimin dhe europianizimin e shoqërisë shqiptare.

Z. Mildon theksoi se nga vizita e para disa viteve shikon një ndryshim të madh dhe u shpreh se e kupton drejt disa vështirësi të fillimit nga ana e disa autoriteteve vendore për t`u përshtatur me kompetenca dhe përgjegjësi më të mëdha.

Më tej z. Mildon bëri prezent konceptet e Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës për konceptimin e rajoneve dhe e ftoi Shqipërinë të bëhet pjesë aktive në bashkëpunimin rajonal.

Duke vlerësuar përfshirjen e rajoneve shqiptare në Paktin e Rajonit të Adriatikut, ftoi që kjo iniciativë të shtrihet dhe në eurorajonin e Detit të Zi.

Z. Mildon u interesua dhe për ndikimin që kriza globale financiare ka në funksionimin e pushteteve vendore në Shqipëri, si dhe për masat për administrimin sa më të mirë të procesit elektoral në Shqipëri.
Duke iu përgjigjur interesit të z Mildon , Kryeministri Berisha theksoi se kriza globale nuk ka prekur ende rajonet shqiptare dhe janë marrë masat që ekonomia shqiptare ta ndiejë sa më pak të jetë e mundur këtë krizë.

Kryeministri Berisha garantoi z. Mildon se qeveria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për një proces zgjedhor të suksesshëm dhe se Kodi i ri Zgjedhor i arritur nëpërmjet konsensusit është një arritje e madhe pozitive në këtë drejtim.
Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se në këto zgjedhje do të kërkojë prezencën e shumë vëzhguesve të Këshillit të Europës dhe organizmave të specializuar.       
   
 
              


24/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›