Kryeministri Berisha zhvilloi, sot, një takim me banorë të Laçit. Në këtë takim Kryeministri u shpreh: "Edhe njëherë, unë vij këtu për t'u përulur me nderim të madh pa
Kryeministri Berisha zhvilloi, sot, një takim me banorë të Laçit. Në këtë takim Kryeministri u shpreh:
"Edhe njëherë, unë vij këtu për t'u përulur me nderim të madh para jush, burra dhe gra të Kurbinit, për besimin, për mbështetjen, për kurajon që ju i dhatë Partisë Demokratike, qeverisë së saj, gjatë kësaj periudhe të demokracisë shqiptare.
Në emër të udhëheqësve të koalicionit të madh, të pranishëm këtu me mua, të zotit Nard Ndoka, zotit Ekrem Spahiu, zotit Lufter Xhuveli, por edhe të gjithë drejtuesve të tjerë të koalicionit, ju përshëndes vëllazërisht dhe ju siguroj se Kurbinin e kemi dhe mbetet përparësi madhore për qeverinë tonë të koalicionit. Në përpjekjet tona, investimet për vitin 2007 do të dyfishohen dhe mbidyfishohen për Kurbinin, për Milotin, për Mamurrasin, për Fushëkuqen.
Ndaj edhe unë, këtu para jush, i them kryetarit tuaj të bashkisë që, ndër projektet më të para të vitit 2007 do të jetë rruga e Kishës, si rruga e shpresës dhe e besimit për mbarë kombin shqiptar. Zoti Ministër i Punëve Publike, mezi i muajit maj duhet ta gjejë rrugën të përfunduar me të gjitha veprat e saj. Rruga e Patokut do të përfundojë para sezonit turistik.
Projekti për kanalizimet, për hyrjen e qytetit, përbëjnë një përparësi madhore. Mbrojtja e Laçit, e Fushëkuqes dhe e të gjithë kësaj zone nga përmbytja, është dhe mbetet përparësi madhore pë qeverinë tonë, sikundër unë ju premtoj se do të bëjmë çdo përpjekje që zonën industriale ta shndërrojmë në një park industrial për punësimin e qytetarëve të Kurbinit dhe të zonave përreth.
Ne vijmë tek ju si qytetarë të fjalës së mbajtur, vijmë midis jush ballëhapur, sepse ne kemi mbajtur premtimet e dhëna.
Ne premtuam se do të ecim me shpejtësi drejt integrimit evropian dhe ne firmosëm marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Ne premtuam se do të luftojmë korrupsionin, ia dolëm në një vit të shpëtojmë nga duart e zeza, të pista të kontrabandistëve, të zyrtarëve dhe qeveritarëve abuzivë, jo 1 apo 2, por 600 milionë euro.
Ne premtuam se do të vendosnim bandat para ligjit dhe kështu vepruam. Ne e realizuam këtë sepse ju, me votën e 3 korrikut, i dhatë qeverisë në dorë gërshërët e ligjit për të prerë lidhjet e krimit me politikën, për të bërë rrugët e qyteteve tona të sigurta.
Ne premtuam rritjen e rrogave dhe të pensioneve dhe vijmë sot tek ju me këtë premtim të mbajtur. Ia dolëm në një vit të rrisim pensionet më shumë se në 50 vitet e fundit dhe sot, në mbarë fshatrat e Shqipërisë nuk ka pensionistë që merr më pak se 50 mijë lekë pension dhe pensionistë në qytet që merr më pak se 100 mijë lekë.
Unë ju siguroj se ky është vetëm një stacion, se qëllimi ynë është rritje të tjera të mëtejshme. Qëllimi ynë është lehtësimi i dhimbjeve të skamjes e varfërisë, shkëputjes së Shqipërisë nga mjerimi.
Shkolla moderne për fëmijët shqiptarë mbetet një tjetër objektiv yni madhor. Unë kërkoj sot nga kryetari i Bashkisë suaj që të bëjë projekte dhe të mos ketë klasë me mbi 30 nxënës, të bëjë projekte që në shkollat e Kurbinit, të ketë ngrohje, internet, që nxënësit e Kurbinit të shkollohen njësoj si nxënësit e Tiranës. Kërkoj nga ju, zoti Kryetar, që të sillni projekte dhe do të keni mbështetjen e plotë për parqe lojërash dhe për të gjitha nevojat që kanë fëmijët dhe të rinjtë e Kurbinit.
Këtë vit kanë nisur dhe do të nisin punët më të mëdha publike në historinë e vendit. Këtë vit kanë nisur dhe nisin gjatë dy muajve të ardhshëm korridore të mëdha rrugore dhe autostrada në të katër anët, nga Morini në Milot, nga Fieri në Vlorë, Gjirokastër - Tepelenë, Korçë - Qafë Thanë.
Por, dua t'i siguroj zonat rurale, dua t'i siguroj lagjet e blloqet e qyteteve tona se, krahas autostradave dhe korridoreve të mëdha, këtë vit nis projekti i 6 mijë km rrugë dytësore dhe rurale, me të cilat ne do t'i nxjerrim qytetet tona nga balta, do t'i shndërrojmë qytetet tona nga qytete të një bulevardi në qytete të rrugëve të asfaltuara dhe të gjelbëruara. Do t'i shndërrojmë fshatrat tona në fshatra të rrugëve të asfaltuara, në mënyrë që fermerët shqiptarë të mund të kapin tregun me shpejtësi të madhe.
Duke shprehur besimin tim të palëkundur në fitore, unë kam një apel, kam një thirrje miqësore për të gjithë burrat dhe gratë e Kurbinit; mos e trembni kundërshtarin. Ai, gjatë krizës që krijoi, u thoshte kolegëve të mi mjekë se i dilnin para laçianë me certifikata dhe ata i jepnin mjekimin. U thoshte diplomatëve europianë se ata nuk e dinin se ç'ishin laçianët me çertifikata. Njëri prej këtyre diplomatëve më pyet se çfarë do të thotë kjo. I përgjigjem se burrat dhe gratë e Kurbinit janë nga më të shkëlqyerit në Europë dhe nëse dëshironte mund të shkojmë dhe të pimë një kafe me ta. Nuk e kanë fajin ata, nuk e kanë fajin certifikatat, por, siç tha edhe një nga udhëheqësit socialistë, i sëmur është dikush tjetër.
Prandaj, le të zhvillojmë fushatën më të qetë, fushatën më të qytetëruar, fushatën e zgjedhjeve të lira, sepse kështu do të fitojë Kurbini, kështu fiton qytetaria shqiptare, fiton Shqipëria."